Demarkus Kouzins shkëlqen në NBA

schedule14:17 - 23 Janar, 2018

schedule 14:17 - 23 Janar, 2018

Basketbolli amerikan kishte gati gjysmë shekulli që nuk shikonte një paraqitje të tillë. Ylli i Nju Orlinsit, Demarkus Kouzins, realizoi një paraqitje veçanërisht të madhe ndaj Çikagos.

DeMarkus Kouzins është padyshim një nga lojtarët më të fuqishëm dhe më të talentuar të NBA-së.

Gjithsesi, as ai vetë nuk e kishte menduar se do të realizonte diçka që Amerika kishte gati gjysmë shekulli që nuk e shikonte.

Kouzins, qendra e Nju Orlinsit, rikujtoi legjendën Karim Abdyl Xhabar duke pasur një tripëll dabëll krejt të veçantë, me 44 pikë, 24 topa në tabela dhe 10 asistë, në përballjen e madhe ndaj Çikagos.

I fundit që ia kishte dalë kishte qenë Xhabari, ylli i Lejkërsave, me 44 pikë, 20 topa në tabela e 11 asistë në 1972.

Në gjithë historinë e NBA-së, kjo ka ndodhur vetëm 10 herë.

Kouzins realizoi 5 gjuajtje për tri pikë, humbi vetëm 1 gjuajtje të lirë nga 14, vodhi 4 topa dhe bllokoi një gjuajtje, në një ndeshje që u zgjidh pas dy kohëve shtesë, 132-128 për Nju Orlinsin.

Basketbollisti i miqve, Robin Lopez, bëri gjithçka për ta ndaluar, por nuk ia doli për asnjë moment.

Çikago Bulls kryesoi me 17 pikë kur duheshin edhe 5 minuta deri në fund, por Kouzins, Dejvis dhe Holidei bënë përmbysjen.

Entoni Dejvis, ylli tjetër i Nju Orlinsit, shënoi 34 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje, duke bërë edhe ai një paraqitje të madhe.

Të dy basketbollistët janë titullarë në Ndeshjen e Yjeve që do të luhet në Los Anxhelos, dhe po përpiqen që ekipi i tyre të jetë po aq i fortë sa më të mirët e NBA-së.

Gjithsesi, deri tani nuk ia kanë dalë plotësisht, pasi Nju Orlins Pelikans është vetëm në vendin e gjashtë në Konferencën Perëndimore, tepër larg Golden Stejtit apo Hjustonit./abcnews.al