Të paktën 11 persona u vranë nga sulmet izraelite në Libanin jugor, më pak se 24 orë pasi u njoftua një armëpushim i ri mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit tha se pati sulme nga avionët luftarakë dhe dronët në disa zona, shumë prej të cilave rreth qytetit të Nabatieh.
Ushtria izraelite tha se goditi objektiva terroriste të Hezbollahut pasi grupi militant qëlloi mbi 50 predha drejt forcave izraelite në Libanin jugor.
Uashingtoni ka kritikuar operacionet e vazhdueshme të Izraelit në Liban, të cilat kanë vënë në rrezik edhe një marrëveshje paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Teherani ka këmbëngulur që Libani duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund konfliktit.
Të shtunën në mëngjes, pamjet dhe fotot nga Libani jugor treguan disa re të mëdha tymi që ngriheshin në qiell pas sulmeve izraelite. Një zyrtar i lartë i Hezbollah tha se grupi i tij kishte të drejtë t’u përgjigjej sulmeve izraelite.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka qenë nën presion të brendshëm për të vazhduar veprimet ushtarake kundër Hezbollahut, një grup politik dhe ushtarak musliman i mbështetur nga Irani.
Hezbollahu ka thënë se nëse pushtimi i Libanit jugor nga Izraeli vazhdon, ai do të vazhdojë sulmet e tij. Si pasojë e pushtimit izraelit, rreth një milion njerëz mbeten të zhvendosur, ndërsa dhjetëra komunitete në jug janë shkatërruar plotësisht.



