Kryeministri Rama deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se demokracia po përballet me sfida të reja nga algoritmet dhe rrjetet sociale, ku sipas tij gënjeshtrat dhe emocionet përhapen më shpejt se faktet. Ai tha se shoqëria ka hyrë në një “ferr social”, ku mjafton të mbyten faktet që dezinformimi të bëhet viral. Rama ngriti shqetësimin edhe për gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet në rrjet, duke theksuar se sfida kryesore e demokracisë mbetet mbrojtja e lirisë së fakteve dhe garantimi që ato të dëgjohen.
“ Çdo protestë është një rast për përmbysje. Një protestë për temën është gjëja më legjitime dhe, në momentin kur je gati t’i ofrosh bashkëpunim dhe diskutim për të kuptuar si mund të adresohet tema më mirë, askush nuk paraqitet, sepse të jesh pjesë e cunamit është shumë më e rëndësishme se të jesh pjesë e zgjidhjes.
Humbja e realitetit bën që papritur të dalin të gjitha llojet e krijesave që kanë qenë në cepat e tyre. Secili kërkon diçka që mund ose jo të ketë të drejtë dhe e kërkon përmes asaj vale çmendurie, duke ushqyer algoritmin.
Aty, në sheshin e algoritmit, fillon refreni: “Edi Rama ka mbaru”, mirëpo ikën nata, vjen mëngjesi dhe e nesërmja vjen. Vitet ikin, profecia vazhdon dhe, nëse nuk është e vërtetë, bëhet virale.
Pothuajse pa e kuptuar kemi hyrë në një ferr social ku problemi është pakufishmëria e lirisë së shpërndarjes së gënjeshtrës. Sot mjafton të mbysësh faktet. Fakti dhe gënjeshtra janë thjesht dhe vetëm dy njësi të mënyrës si funksionon algoritmi.
Sfida e demokracisë është të mbrojë lirinë e fakteve, duke insistuar që ato të dëgjohen. Liria e shprehjes është vetëm teori. Çfarë kemi parë këto ditë? Ata që nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me sheshin e xhirimeve, kanë marrë kërcënime dhe urrejtje.
I kam të panumërta ankesat e njerëzve që, pasi kanë mbyllur profilet, i kanë marrë kërcënimet në numrat e tyre dhe ia kanë përcjellë policisë.
Sfida më e madhe e kohës që jetuam ishte liria e shprehjes.”



