Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Flamingot morën fitoren e parë?/ Rama për raportin e PE: Amendamenti s’ka lidhje me Zvërnecin, u informuan nga sorrat e korbat

schedule14:39 - 18 Qershor, 2026

schedule 14:39 - 18 Qershor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve të opozitës dhe aktivistëve mjedisorë, të cilët e cilësuan rezolutën e fundit të Parlamentit Europian si një “fitore” për mbrojtjen e Zvërnecit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama sqaroi se amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë (Zvërnecin), por i referohet zonës Nartë–Vjosë, ku qëndrimi i qeverisë përputhet plotësisht me atë të eurodeputetëve.

Duke i cilësuar kritikët si “daullaxhinj” që ushqejnë histeri digjitale, kreu i qeverisë theksoi se mbrojtja e mjedisit mbetet prioritet i padiskutueshëm dhe se rishikimi i ligjit për zonat e mbrojtura do të bëhet vetëm përmes procesit zyrtar analitik me Komisionin Europian, si pjesë e axhendës së negociatave.



“Ata daullaxhinjtë me emër, që kujtuan se Deti i Zi ishte kthyer në kos për lugët e tyre të ndryshkura, po ua shesin flamingove rezolutën e djeshme të Parlamentit Europian si “fitoren e parë” të tyre!

Në të vërtetë, e vërteta është se flamingot e kishin fitoren në xhep edhe para se të nisnin protestat, pavarësisht se nuk duan ta shohin këtë, sepse po e shijojnë paradën e bukur në bulevard mes çafkave, korbave dhe laraskave. Sepse, sa kohë jam unë këtu dhe Partia Socialiste është në drejtim të vendit, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë mbetet një prioritet i padiskutueshëm.

Sa për “fitoren e parë”, ata janë keqinformuar rëndë nga çafkat dhe korbat, sepse amendamenti i asaj që quhet “fitore” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Ai lidhet shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë–Vjosë, ku qeveria mban pikërisht të njëjtin qëndrim me eurodeputetët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh; është e vërteta që del nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet e rrjeteve sociale.

Sa i takon rishikimit të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, eurodeputetët do të informohen se kjo është pjesë e axhendës së negociatave dhe, si e tillë, do të kalojë fillimisht në një proces analitik me Komisionin Europian, ku do të identifikohet çdo pikë që nuk përputhet me kriteret dhe standardet e Bashkimit Europian.

Thënë kjo, një rishikim i vetë konceptit të “fitores” do t’u bënte mirë sidomos VIP-ave të rënë nga sofrat politike dhe atyre që fryhen me buzë botoksi e me ndjekës në rrjete sociale, të cilët, pasi u ngopën me zili duke ushqyer histerinë digjitale, mund të përgatiten për një zgjim pa dhimbje nga zhgënjimi i madh që i pret në fund të revolucionit të tyre imagjinar”, ka shkruar kryeministri.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!