Një skemë e dyshuar kriminale për tjetërsimin e pronave në Dibër ka çuar në lëshimin e 14 urdhër arresteve ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si edhe personave që dyshohet se kanë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve.
Operacioni i koduar “Tjetërsimi”, i zhvilluar nga Policia e Dibrës në bashkëpunim me Prokurorinë, është rezultat i një hetimi shtatëmujor, i cili ka dokumentuar një skemë të organizuar të tjetërsimit të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme përmes dokumenteve të falsifikuara.
Në kuadër të operacionit, dy persona, të afërm me njëri-tjetrin dhe të dyshuar si përfitues të drejtpërdrejtë të skemës, janë vendosur në masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë, për disa punonjës dhe ish-punonjës të Kadastrës së Dibrës janë caktuar masat “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim paraqitjeje”.
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Danjel Gjura, aktualisht zëvendësdrejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, ish-drejtor i këtij institucioni dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në kërkim është shpallur gjithashtu një notere, si dhe një tjetër person i dyshuar si i përfshirë në këtë aktivitet.
Sipas hetimeve, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës, në bashkëpunim me noterë dhe persona privatë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin dhe kanë kryer veprime administrative të kundërligjshme me qëllim kalimin e pronave në favor të përfituesve të caktuar.
Burime hetimore konfirmojnë se skema ka funksionuar përmes përgatitjes së dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave të manipuluara administrative, duke krijuar mundësinë për regjistrimin e pasurive në kundërshtim me ligjin.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet janë zgjeruar për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e kësaj skeme të dyshuar të tjetërsimit të pronave në qarkun e Dibrës.



