Më shumë se 1 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që prej arritjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në tetor të vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, në Gaza kanë vazhduar përplasjet pothuajse të përditshme, me sulme ajrore, bombardime dhe të shtëna pranë vijës që ndan zonat nën kontrollin izraelit dhe palestinez.
Viktimat e fundit u regjistruan pas disa sulmeve me dronë nga ushtria izraelite në zona të ndryshme të Gazës qendrore dhe në qytetin e Gazës, përfshirë zona me kampe refugjatësh. Të mërkurën, 17 qershor, një sulm izraelit në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës, vrau dy palestinezë dhe plagosi gjashtë të tjerë.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke thënë se kishte goditur një “terrorist”, por nuk dha detaje të tjera.
Banorë të zonës thanë se objektivi ishte një grup njerëzish pranë bregdetit, në kampin e madh të tendave në Muwasi, ku janë strehuar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur nga lufta.
Izraeli thotë se operacionet e tij në Gaza vazhdojnë kundër Hamasit dhe grupeve aleate, ndërsa pretendon se ka zgjeruar zonat nën kontrollin e tij brenda territorit palestinez. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Në një deklaratë tjetër, ushtria izraelite tha se gjatë fundjavës kishte vrarë dy militantë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez në sulme të veçanta.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri total i viktimave nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka kaluar 73 mijë persona. Ministria nuk bën ndarje mes civilëve dhe luftëtarëve, por të dhënat e saj bazohen në regjistra mjekësorë që konsiderohen përgjithësisht të besueshëm nga komuniteti ndërkombëtar.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 persona.
Pas sulmit, udhëheqësit izraelitë nisën një ofensivë të gjerë në Rripin e Gazës me objektiv shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve.



