Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, deklaroi se Samiti i G7 ka sjellë një afrim të qëndrimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të NATO-s lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas Softës, në përfundim të samitit u vu re një unitet më i madh mes aleatëve perëndimorë, ndërsa fokusi për Ukrainën u përqendrua te forcimi i mbrojtjes dhe furnizimi me pajisje të avancuara teknologjike, kryesisht nga vendet europiane.
Ai theksoi se një tjetër element i rëndësishëm ishte rritja e sanksioneve ndaj Rusisë, si pjesë e strategjisë së Perëndimit për të vijuar mbështetjen ndaj Kievit.
“Në fund patëm një unitet ku fokusi për Ukrainën u përqendrua te mbrojtja, pajisjet e tjera të teknologjisë europiane dhe rritja e sanksioneve”, u shpreh Softa.
Eksperti nënvizoi gjithashtu se Ukraina është përgëzuar për rezultatet e saj në raport me luftën, duke vlerësuar rezistencën dhe aftësinë e saj për t’u përballur me agresionin rus.



