Pritja ishte e gjatë, ashtu si ajo e Skocisë. Austria mund të ketë qenë dikur një skuadër serioze në Kupat e Botës, por globalizmi në futboll ka bërë të vetën e kombëtarja e perandorisë së dikurshme sikur ka mbetur prapa.
U desh të kalonin 36 vite që ky ekip të arrinte fitoren e parë në fazat finale, një 3-1 ndaj Jordanisë modeste në stadiumin “Bej Arena” në San Francisko.
Në prani të mbi 68 000 shikuesve, të mbiquajturit “Djemtë tanë” ia dolën me gola nga Shmid në 21’ e Arnautoviç me penallti në minutën e 12-të shtesë, por megjithatë u desh një autogol I arabëve për t’u kthyer tek avantazhi me shifrat 2-1.
E vërteta është që Jordania luftoi shumë, dhe bëri gjithashtu shumë. Edhe pse e mbajti shumë pak topin, vetëm 37 për qind, sërish goditi pafund, me numër të barabartë gjuajtjesh me kundërshtarin, 11-11, si dhe nga 4 brenda portës.
Gjithsesi, në futboll diferencën e bën goli, dhe Austri shënoi plot tri herë. Po flasim për një ekip që ka qenë klasik në kupat e botës, që ka dalë i katërti e i treti në 1934 e 1954, dhe që ishte një forcë e rëndësishme në Botërorët e 1978-ës në Argjentinë e 1982 në Spanjë. Gjithsesi, fitorja e fundit ishte arritur në 1990 në Itali, e vetmja në 44 vjet, ndërsa faza e fundit finale ishte arritur në 1998 në Francë./abcnews.al



