Me dëbimin natën dhe me një vendim urgjent të mësuesit turk Harun Çelik në një ditë pushimi si 1 janari, Shqipëria iu bashkua shteteve që kanë probleme të theksuara me zbatimin e të drejtave të njeriut që kanë bërë të njëjtën gjë, si Pakistani, Afganistani, Taxhikistani, Bosnja dhe sëfundmi Kosova.
Kërkesa për mbylljen e shkollave të rrjetit Gylen dhe ekstradimin e mësuesve të tyre në Turqi, të cilët qeveria e atje i akuzon të gjithë për pjesëmarrje në një tentativë ushtarake për rrëzimin e qeverisë, e cilësuar si grush shteti, ka qenë edhe ndaj Shqipërisë.
Madje, në jo pak raste më parë, diplomatë turq, në një gjuhë aspak diplomatike kanë kërkuar nga shteti shqiptar këtë gjë.
Me një situatë të ngjashme u përball edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ku homologu i tij turk me një gjuhë aspak diplomatike tha se Shqipëria duhej të mbyllte shkollat e të ekstradonte mësuesit turq.
Ajo e 19 tetorit 2018 nuk do të ishte një konferencë normale për shtyp, si për shkak të gjuhës së përdorur nga Çavusoglu, por edhe nga përgjigja shterruese e dhënë nga Ditmir Bushati, i cili ia tha në sy homologut turk se nuk do të lejohej askush që të ndërhynte në çështjet e brendshme dhe ato fetare në Shqipëri.
“Laiciteti ka qenë në ADN-në e kombit shqiptar që ka qenë parimi udhërrëfyes i Rilindasve tanë ndaj do të ishte e paimagjinueshme që shteti shqiptar të përfshihej në çështjet fetare, e jo më të ndërhyjë një shtet tjetër, qoftë një shtet mik si Turqia“, tha Bushati,
Nervozizmi nga ana tjetër nuk mund të fshihej duke bërë që Çavusoglu ta përmendte disa herë faktin se këtë kërkesë e bënte në të mirë të popullit dhe shtetit shqiptar.
Megjithatë, Bushati vijoi: “Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë por edhe në planin ndërkombëtar.
Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe as se si në konferenca shtypi”.
Këto ishin përgjigjet e forta dhe të prera që Turqia mori nga shteti shqiptar në atë kohë duke i thënë se nuk mund të lejohej të përfshihej në çështjet tona të brendshme dhe aq më pak në çështjet fetare.
Pak muaj pas kësaj deklarate, Bushati do të largohej nga detyra, ndërsa duket se me dëbimin fshehurazi të Harun Çelik ditën e djeshme, Shqipëia ka lëvizur shumë nga ky parim duke lundruar në ujëra të tjera. /abcnews.al