Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë sezonit veror 2026 do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e qarkullimit në akset me fluks të lartë lëvizjeje.
Masat bazohen në udhëzimin e përbashkët nr. 106, datë 14.06.2024, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të jenë në fuqi nga 19 qershori deri më 15 shtator, si edhe gjatë ditëve të festave zyrtare.
Kufizimet prekin mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim. Ato do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe urbane, veçanërisht në segmentet që lidhin zonat turistike dhe bregdetare.
Sipas njoftimit, ndalimi i qarkullimit do të aplikohet:
Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Ndërsa për festat zyrtare, kufizimet do të nisin nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe do të vijojnë nga ora 07:00 deri në 24:00 të ditës së festës.
Nga këto masa përjashtohen mjetet e emergjencës, mjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe automjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen.
Policia e Shtetit thekson se në raste të veçanta, si furnizime kritike apo situata emergjente, mund të jepen autorizime të posaçme nga autoritetet kompetente.
Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet këto kufizime, me synim parandalimin e aksidenteve, shmangien e trafikut të rënduar dhe garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!