Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Eldi Dizdari, trafikanti në kërkim/ Nga ngjarja në Bllok te trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe jeta në Dubai

schedule18:11 - 16 Qershor, 2026

schedule 18:11 - 16 Qershor, 2026

Eldi Dizdari, për të cilin Prokuroria e Posaçme këtë të martë lëshoi masë arresti në burg, në kuadër të goditjes së një rrjeti kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, është një personazh i njohur për autoritetet, i përfshirë në trafik narkotikësh, por edhe në ngjarje të tjera.

Policia e shtetit nuk mundi të ekzekutonte masën e sigurisë për të, pasi Eldi Dizdari është strehuar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe prej disa kohësh.

Ai u arrestua në këtë shtet në 2020, por nuk u ekstradua dhe por ka dyshime të jetë liruar, referuar edhe ligjeve vendase, ndonëse deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet atje.



Dizdari është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për operacionin Los Blancos, ku u godit një rrjet që trafikonte kokainë nga Ekuadori drejt Italisë.

Mediat italiane, disa vite më parë, thanë se Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi, udhëhiqte një grup kriminal të gjerë në fushën e trafikut të kokainës.

Ky i fundit është mjaft i njohur edhe për autoritetet shqiptare.

Përveç rolit të tij qendror në tregun ndërkontinental të drogës, për herë të parë, emri i Dizdarit u lakua në ngjarjen e muajit tetor të vitit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku pas një sulmi me armë zjarri mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe të plagosur Ervis Martinaj e Laert Hato.

Dizdari ishte një nga personat që u përfol si i përfshirë në përplasjen me armë zjarri në këtë ngjarje, pavarësisht se prokuroria e Tiranës nuk doli asnjëherë me akuzë zyrtare për të.

Emri i tij doli në skenë edhe pas arrestimit të kushëririt të tij, Arbër Çekajt, i cili është dënuar me 14 vite burg me gjykim të shkurtuar për trafikimin e një sasie prej 613 kilogramëve kokainë, që u kapën në Maminas në 2018.

Dizdari ka qenë edhe në fokus të mediave të huaja më herët, të cilat kanë shkruar për jetën e tij luksoze në Dubai. Një pjesë e pasurive që Gjykata e Posaçme sekuestroi me vendim të SPAK, i përkasin Dizdarit, pasi dyshohet se ato janë përfituar nga paratë e aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!