Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom tha se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim të motivuar politikisht ndaj tij dhe gruas së tij.
Demokrati akuzoi administratën e Donald Trump se po e shënjestron atë, teksa Newsom është duke marrë në konsideratë një kandidaturë presidenciale në vitin 2028.
Newsom, një rival politik i hershëm i presidentit republikan, tha se agjentët federalë kanë trokitur në dyert e miqve dhe ish-punonjësve të tij dhe kanë kërkuar të dhëna. Guvernatori nuk dha detaje specifike mbi natyrën e hetimit, por zyra e tij tha se hetimi duket se kohët e fundit është zgjeruar në çështje gjithnjë e më personale që përfshijnë familjen dhe rrjetin profesional të Guvernatorit.
Newsom tha se Trump është duke e sulmuar sepse ai mund të kandidojë për president dhe e ka kritikuar vazhdimisht për gënjeshtrat e dhe mashtrimet e tij.
Një person i njohur me çështjen mohoi ekzistencën e një hetimi që synonte posaçërisht guvernatorin, por tha se ka hetime të shumta federale ndaj njerëzve përreth tij, përfshirë një që lidhet me taksat e gruas së tij. Hetimet filluan vitin e kaluar pas ankesave të informatorëve në qeverinë e Kalifornisë, dhe udhëheqja politike në Uashington nuk ishte e përfshirë në vendimin për t’i hapur ato.
Jennifer Siebel Newsom, gruaja e guvernatorit, tha se hetimi tregoi se Trump është i papërshtatshëm për detyrën.
Këto janë hetimet më të fundit të Departamentit të Drejtësisë që lidhen me një nga armiqtë e Trump, një trend që ka shkaktuar kritika se administrata po e përdor agjencinë e zbatimit të ligjit si armë politike.
Presidenti e ka sulmuar vazhdimisht shtetin e dominuar nga demokratët gjatë mandatit të tij të dytë, ndërsa Kalifornia është kundërpërgjigjur duke paditur qeverinë federale dhjetëra herë.



