DW: Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së, por vetë është në krizë

schedule08:46 - 2 Janar, 2020

schedule 08:46 - 2 Janar, 2020

Këtë vit Shqipëria do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Por Dojce Vele ka vënë në dukje se marrja e timonit të OSBE-së nga Shqipëria, vjen në kohën kur vendi ndodhet në mes të krizës politike.

Vendi ynë ka marrë kryesimin e OSBE me 1 janari. Kalimi i stafetës nga Sllovakia tek Shqipëria, për median gjermane Dojce Vele vjen në kohën kur vetë vendi ynë ndodhet në një krizë politike.

“Detyrat e OSBE-së janë të shumta – prej vëzhgimit të zgjedhjeve, luftës për lirinë e shtypit, mbrojtjes së të drejtave të minorieteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera. Por ky vend ballkanik gjendet aktualisht në krizë, për shkak të mospajtimeve mes forcave të brendshme politike për shumë gjëra”, thuhet në një koment të Deutsche Welle.

“Demokracia në Shqipëri nuk është stabilizuar tërësisht as 30 vjet pas rënies së regjimit komunist”,- vijon artikulli.

Kryeministri Edi Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. Partia Demokratike ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë ate”, tha publicisti i njohur nga Kosova Veton Surroi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!