Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar shokun e ngushtë, Armand Shakaj.
Burime thonë se Shakaj për t’iu fshehur kontrolleve rutinë të policisë, ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij brenda të cilit dyshohet të ketë qenë edhe trupi i 34-vjeçarit deri në zonën e Ibës.
Gazetarja Bleona Sari tha për ABC News se ky veprim sipas hetuesve ka ndodhur në datën 6, që sipas kamerave të sigurisë, rezulton që trupi i Koçit rezulton të jetë mbajtur në makinë për 1 ditë e gjysmë pasi kontaktet e fundit i kishte me familjen në datën 4 qershor.
Policia identifikoi pronarin e karrotrecit dhe e shoqëroi për ta marrë në pyetje.
Ai ka pohuar se automjeti e kishte lënë pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makinën e kishte me defekt.
Prej andej, thotë dëshmitari, nuk di më se çfarë ka ndodhur pasi është larguar dhe nuk kishte ide se çfarë kishte brenda në makinë. Policia ndërkohë vijon kontrollet lidhur me këtë ngjarje.
/abcnews.al/



