Më shumë rus në Serbi.
Qeveria e presidentit Vuçiç i ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku, që nga fillimi i këtij viti.
Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ndërsa Beogradi i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për vendin.
Serbia nuk ka hequr dorë nga ky veprim pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.
Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian.
Në këtë dokument paralajmërohet se përfitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetas rusë përmes marrjes së shtetësisë serbe — numri i të cilëve është rritur — paraqet rrezik të mundshëm sigurie për BE-në.
Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor të këtij viti, më shumë se 300 rusë kanë marrë shtetësi serbe.
Duke u dhënë shtetësi personave të sanksionuar, Serbia po i rrezikon drejtpërdrejt integrimet e veta evropiane dhe po e minon komunitetin të cilit synon t’i bashkohet.
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021, dhe një nga arsyet është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të bllokut.



