Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, partitë politike duhet të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.
Haxhiu tha se fillimisht duhet të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor.
Ajo theksoi se përmbyllja e procesit të numërimit është hapi i parë, ndërsa më pas kërkohet angazhim dhe vullnet politik për të shmangur bllokadat institucionale.
Sipas Haxhiut, zgjidhja mund të arrihet nëse ekziston gatishmëri nga subjektet politike.
“Është e rëndësishme të dëshmohet vullnet. Kemi shumë dallime në çështje të ndryshme të politikave ditore, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të flasim seriozisht dhe të dëshmojmë vullnet”, u shpreh Haxhiu”.



