Sondazh

Zvërneci, protestë për:

  • Politike 61%
  • Mjedisin 25%
  • ⁠Kundër Trump 14%
Loading ... Loading ...
 

PS: Investimi në Zvërnec do bëhet!/ Berisha, asnjë fjalë në Kuvend kundër projektit. Mendjen te protesta

schedule15:07 - 11 Qershor, 2026

schedule 15:07 - 11 Qershor, 2026

Një ditë pasi iu bashkua me urdhër të Berishës, opozita solli copa-copa protestën e bulevardit në parlament. E kujdesshme, me parrulla dhe thirrje të protestuesve kundër Ramës, por jo kundër Zvërnecit apo kundër Trampit. Madje, edhe paketa që propozoi PD në seancë, parashikonte anulimin e ligjeve për investimet strategjike, Zonat e Mbrojtura dhe Paketën e Maleve, por mungonte një kërkesë, anulimi i investimit në Zvërnec.

Një paketë që u prit me ironi nga mazhoranca socialiste.

“Keni ardhur si flamingo nga Temu! Tani, kush është qëllimi i katër projektligjeve? Ju jeni pro investimit apo kundër investimit? Ne jemi pro investimit. Investimi do të bëhet! Shqipëria nuk e ka luksin, Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë sepse e dini, e dini pse bëni kaq qesharak? Të katër projektligjet tuaja do rrëzohen kurdo që të jetë data dhe se projekti në Zvërnec do të vazhdojë dhe Shqipëria do të ecë përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”,-tha Balla.



Sali Berisha, i cili këtë të enjte ishte më në formë se më parë, kërkoi në Parlament të flitet vetëm për protestën, duke anashkaluar sërish jo pa qëllim investimin në Zvërnec të dhëndrit të Presidentit të SHBA.

“Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend. Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë. Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre”, – u shpreh Berisha.

I thirrur në interpelancë për Zvërnecin, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, sqaroi se nuk ka asnjë projekt momentalisht të miratuar, sepse autoritetet shqiptare me grupe ekspertësh, nga momenti i shprehjes së interesit, kanë nisur studimet dhe monitorimet për t’u siguruar se investimi është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe europian për mjedisin.

“Janë ngritur pretendime se procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i analizës së kontrollit mjedisor. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale” tha ministri.

Projekti do t’i nënshtrohet një analize të thelluar, mbi natyrën, mbi ujin, tokën, klimën, komunitetin, kafshët, biodiversitetin. Ministria e Mjedisit ka kërkuar studim të thelluar, vlerësim rigoroz dhe monitorim, zhvillim të qëndrueshëm.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!