Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me individët që u shfaqën në protestën në Shqipëri me flamurin e UÇK-së.
Ky është reagimi i ardhur nga Veteranët, duke u distancuar nga organizimi në Tiranë.
Ata thonë se ka personat që flasin në emër të veteranëve të luftës çlirimtare, por theksojnë se ky pretendim është i rremë dhe se askush nuk është bashkërenduar me selinë e tyre në kryeqytet.
“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo që shfaqet, mbart peshën e asaj sakrifice dhe kjo peshë nuk mund të huazohet për agjendën ditore të dikujt.”
Veteranët e luftës çlirimtare kërkojnë që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe të jetë hera e fundit që ato keqpërdoren.
Në protestat që po mbahen në Tiranë janë shfaqur prej ditësh flamuj dhe simbole me tre shkronjat e luftës çlirimtare, por qartazi pa miratimin e atyre që luftuan për liri.


