Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti në Shkodër, deklaroi se shumica e shqiptarëve është e vendosur për ta çuar deri në fund atë që e cilësoi si një mision historik, duke theksuar se qytetarët shohin edhe punën e bërë për Shqipërinë, zonat rurale dhe flamurin kombëtar.
Rama komentoi gjithashtu reagimet e grupeve ambientaliste, duke thënë se disa prej tyre janë shfaqur papritur dhe nuk kanë reaguar më herët ndaj fenomeneve si gjuetia ilegale apo debati për importin e mbetjeve.
Sipas tij, po tentohet të devijohet shqetësimi legjitim i qytetarëve në lidhje me çështje të caktuara, duke krijuar perceptimin se ekziston një plan për “shitjen e Shqipërisë”.
“Shumica e shqiptarëve është shumë e qartë dhe e vendosur për ta çuar deri në fund këtë mision historik. Shumica sheh edhe atë që ata nuk duan ta shohin, atë që ne kemi bërë për Shqipërinë, për zonat tona rurale dhe flamurin tonë kombëtar.
Është kollaj të marrësh një flamur e ta lidhësh në qafë duke bërë patriotin, duke kënduar këngë, por nuk është aspak e lidhur me patriotizmin dhe frymën e atyre këngëve që ti t’i përdorësh për të sulmuar dhe të bësh çmos të hedhësh baltë ndaj atyre që nuk mendojnë si ti.
Çfarë duan këta patriotët? Ishte një patriot dje që thoshte se Rama i ka ulur qëllimisht biletat që të ikin nga Shqipëria. Çfarë do ky patriot, të rrisim çmimet?
Këtu thuhet gjithçka, por nuk dëgjohet asgjë dhe nuk mbahet përgjegjësi.
Shpërthyen ethet ambientaliste të gjithë shqiptarëve. Ata nuk e dinë që njerëz që kanë qenë në kafene mund të kenë qenë tërë ditën në punë. U zgjuan një ditë e u bënë të tërë ambientalistë.
Ku ishin këta kur në Shqipëri kërciste gjuetia ilegale dhe vriteshin përditë zogj e kafshë? Ku ishin këta kur Shqipëria kishte ligjin e importit të plehrave?
Po bëjnë çmos që ta çojnë në drejtim të paditur nevojën legjitime të shumë njerëzve që u ndjenë përpara një alarmi, ku duhet të dilnin në rrugë për ta ndaluar, sepse morën vesh papritur që ka një plan për ta shitur Shqipërinë.”


