Debati për investimin miliarda dollarësh në Zvërnec ka vijuar edhe në rrjetet sociale, ku kryeministri Edi Rama ka publikuar një seri reagimesh të njëpasnjëshme në mbrojtje të projektit turistik që pritet të ndërtohet në zonë.
Fillimisht, kreu i qeverisë reagoi pas protestës së zhvilluar tw shtunwn, duke publikuar fotografi nga tubimi ku shfaqeshin automjete të parkuara pranë vijës bregdetare. Rama kritikoi protestuesit për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet mjedisi që pretendojnë se mbrojnë, ndërsa solli në vëmendje praninë e flamingove dhe ekosistemin e lagunës së Nartës.Më pas, kryeministri iu përgjigj edhe kritikëve në rrjetet sociale, duke bërë dallimin mes ambientalistëve dhe qytetarëve që, sipas tij, kanë të drejtën legjitime të protestojnë, dhe atyre që ai i cilësoi si zëra që kundërshtojnë çdo projekt zhvillimi pa argumente konkrete.
Rama solli disa shembuj ndërkombëtarë. I pari ishte Camargue në Francë, një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës, ku sipas tij biodiversiteti, flamingot, lagunat dhe turizmi bashkëjetojnë prej vitesh duke gjeneruar të ardhura për ekonominë lokale pa cenuar pasuritë natyrore.Një tjetër shembull i përdorur nga kreu i qeverisë ishte Nassau në Bahamas, ku flamingot janë kthyer në simbol të turizmit dhe pjesë e identitetit të destinacioneve luksoze.
Rama theksoi se sfida nuk është zgjedhja mes natyrës dhe zhvillimit, por ndërtimi i një modeli ku të dyja të përforcojnë njëra-tjetrën.Në këtë kuadër, ai zbuloi edhe disa nga markat ndërkombëtare që sipas tij kanë shfaqur interes për projektin e Zvërnecit, duke përmendur emra të njohur të hotelerisë luksoze si Rosewood, Mandarin Oriental dhe Atlantis Resorts, kompani që operojnë në disa prej destinacioneve më prestigjioze turistike në botë.
Në vijim të argumenteve të tij, Rama solli edhe modelin e Austrisë, duke theksuar se zonat e mbrojtura nuk janë domosdoshmërisht të paprekshme nga zhvillimi ekonomik. Sipas tij, Alpet austriake janë shembulli se si infrastruktura turistike mund të ndërtohet duke respektuar natyrën dhe standardet mjedisore.Përmes këtyre krahasimeve, kryeministri mbrojti qëndrimin se Shqipëria nuk duhet të izolojë pasuritë e saj natyrore nga zhvillimi, por t’i kthejë ato në motor të ekonomisë përmes turizmit të qëndrueshëm dhe investimeve strategjike.
Ndërkohë, kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec vijojnë nga aktivistë mjedisorë dhe një pjesë e banorëve të zonës, të cilët kërkojnë garanci se investimi nuk do të cenojë ekosistemin e lagunës dhe biodiversitetin e zonës së mbrojtur. / abcnews.al /


