Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në mbrojtje të projektit turistik në Zvërnec, duke vënë në dukje profilin ndërkombëtar të investitorëve që janë përfshirë në këtë nismë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga një ishull turistik në Katar, i konsideruar si një nga destinacionet më të vizituara në Lindjen e Mesme dhe i administruar nga brandi prestigjioz Anantara.
Sipas tij, zhvillues të këtij projekti janë vëllezërit Alkhayatt, bashkëpronarë të konglomeratit Power International Holding dhe njëherazi blerës të tokës private dhe bashkëinvestitorë në projektin e Zvërnecit.
Rama ka kundërshtuar kritikat ndaj investimit, duke argumentuar se një kompani me përmasa dhe reputacion ndërkombëtar nuk do të rrezikonte emrin e saj me projekte të papërgjegjshme në Shqipëri.
“Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike”, shkruan Rama.
Power International Holding është një nga konglomeratet më të mëdha në Katar, me mbi 400 kompani të organizuara në gjashtë sektorë kryesorë të ekonomisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Rama, grupi ka një portofol të vlerësuar në rreth 40 miliardë dollarë, mbi 65 mijë punonjës dhe operon në 25 vende të botës.
“Ky ishull është në Katar dhe është një ndër destinacionet më të vizituara turistike të Lindjes së Mesme, i cili administrohet nga brandi prestigjoz Anantara.
E dini kush e ka zhvilluar?
Dy vëllezërit Alkhayatt, pikërisht bashkëpronarët e konglomeratit Power Holding, blerësit e tokës private dhe bashkëinvestitorët e projektit të Zvërnecit!
Tani kujt ia ha mendja se një kompani si Power Holding, vjen në Shqipëri të shkatërrojë reputacionin e vet me budallallëqet që thuhen për projektin, nuk kemi ç’i bëjmë. Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike
* Power International Holding është një konglomerat nga Katari me më shumë se 400 kompani, të organizuara në gjashtë sektorë kryesorë të ekonomisë, me një portofol të vlerësuar afërsisht 40 miliardë dollarë. Ka më shumë se 65,000 të punësuar dhe operon në 25 vende të botës”, shkruan Rama./abcnews.al


