Në lidhje me çështjen e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje dy raste ndërkombëtare që, sipas tij, ilustrojnë mundësinë e bashkëjetesës mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës: lagunën e Ria Formosa-s në Portugali dhe një projekt turistik në Katar i zhvilluar nga grupi Power International Holding.
Duke iu referuar rastit portugez, Rama thekson se zhvillimi i turizmit me vlerë të lartë në rajonin e Algarve-s është mbështetur mbi pasuritë natyrore të zonës dhe jo në dëm të tyre.
“Pak dekada më parë, Algarve ishte një rajon periferik, me ekonomi të mbështetur kryesisht te bujqësia dhe peshkimi, me të ardhura të ulëta dhe emigracion të lartë. Në vend që të ndiqte modelin e turizmit masiv me vlerë të ulët, Portugalia bëri një zgjedhje strategjike: investoi te turizmi luksoz dhe me vlerë të lartë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë thekson se pavarësisht investimeve dhe xhiros së madhe ekonomike që ka zona falë turistëve të shumtë, biodiversiteti nuk është shkatërruar.
“Flamingot janë ende aty, shpendët migratorë janë ende aty, laguna është ende aty. Madje vetë biodiversiteti është bërë pjesë e produktit turistik”, shtoi ai.
Në rrjetet sociale, kryeministri Rama po ashtu publikoi pamje edhe të një resorti në një ishull në Katar, një ndër destinacionet më të vizituara në Lindjen e Mesme, i ndërtuar nga dy vëllezërit Alkhayatt, investitorë të resortit luksoz që pritet të zhvillohet në Zvërnec.
Rama në postim thotë se dy vëllezërit Alkhayatt, me një reputacion të arrirë në fushën e biznesit dhe të investimeve në fushën e turizmit, nuk vijnë në Shqipëri për të shkatërruar imazhin e tyre, duke kundërshtuar të thënat e qytetarëve se ‘një zonë e mbrojtur po betonizohet’ apo se ‘nuk po ruhet biodiversiteti’.


