Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, vlerëson se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbetet e kufizuar, pasi sipas tij Teherani nuk ndodhet ende në një pozicion që ta detyrojë të bëjë lëshime të rëndësishme.
Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi tha se për të pasur një marrëveshje të qëndrueshme, Irani duhet të pësojë humbje më të mëdha se ato që ka pësuar deri më tani.
“E shoh të vështirë që të arrihet me një marrëveshje. Sepse që të arrihet një marrëveshje e mirë, duhet që Irani të mundet më shumë se sa është mundur deri tani. Ky Iran tani vështirë të japë në tavolinë diçka që nuk e ka humbur në betejë”, u shpreh ai.
Sipas Krisafit, Irani e ka humbur luftën në aspektin strategjik, pasi veprimet e tij kundër vendeve të Gjirit kanë sjellë pasoja të kundërta nga ato që synonte.
“Në thelb mendoj që Irani e ka humbur luftën sepse duke i goditur vendet e Gjirit ka bërë një gabim strategjik, pasi tashmë ato kanë kaluar në krahun amerikan dhe izraelit. Dhe kjo ishte për faktin se Irani i goditi. Askush nuk e mendonte se do të godiste Katarin apo Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaroi eksperti.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar balancat politike në Lindjen e Mesme dhe kanë rritur izolimin e Iranit në rajon.
“Sot mendoj që Irani e ka rajonin më shumë kundër vetes”, përfundoi Krisafi.


