Ndoshta ka ardhur momenti që ta ndërpresim serinë e zezë.
Shqipëria nuk ka bilanc pozitiv ndaj Izraelit, me gjithçka që ka marrë për keq 8 vitet e fundit, dha ja ku kemi një rast për të bërë kthesën.
Kombëtarja jonë njeh tri humbje radhazi me ekipin hebraik, 0-2, 1-2 e sërish 1-2 që nga 2018-ta, dhe mundësia nuk duket e keqe për të arritur një sukses në miqësoren që nis sonte në orën 20:00.
Do të luhet në “Arenën Air Albania”, dhe do të jetë edhe debutimi në stol I trajnerit të ri, Rolando Maran.
Tekniku italian ka punuar vetëm dy ditë me lojtarët, dhe padyshim që nuk ka arritur ta njohë aq mirë skuadrën.
Nuk dihet aspak se cili do të jetë formacioni I parë I tij, me mjaft ndryshime, por sidomos me një filozofi tjetër futbolli që besohet se do të jetë më sulmuese sesa ajo e paraardhësit Silvinjo.
Kuqezinjtë I dhanë fund përgatitjeve të martën pasdite në “Arenë”, dhe problemi kryesor ishte gjendja gripale e Myrto Uzunit që nuk mori pjesë në seancë.
Sulmuesi ka qenë me temperaturë të lartë edhe disa orë para ndeshjes, pra është në dyshim për të mos qenë pjesë e ekipit.
Më herët, nga kombëtarja u largua mbrojtësi Ardian Ismajli, I dëmtuar, ndërsa për shkak lëndimi nuk janë Strakosha, Manaj, Muçi e Gripshi.
Si e pret Maran kombëtaren në testin e parë?
“Pres një Shqipëri që t’i japë tonin ndeshjes. Do të jetë hera e parë, me pak ditë punë, dhe nuk është të nxjer përfundimet e mia nga fusha. Gjithsesi, siç e thashë, kam parë gatishmëri të madhe të lojtarëve për të bërë atë që kam kërkuar. Kam parë skuadër që mëson shpejt dhe që është shumë e motivuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua, në këtë moment. Sidoqoftë, këtë duhet ta shprehim në fushë kundër një skuadre ndaj së cilës nuk është e lehtë të luash. Ajo nuk të lejon të luash, dhe të detyron të vraposh shumë. Duhet të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të luajmë me ritëm të lartë. Kjo do të jetë arma jonë për të penguar zotërimin e tyre të topit. Një provim mjaft I mirë”.
Me Izraelin kemi vetëm dy fitore, një 3-0 me De Biazin në stol arritur jashtë fushe, si përgjigje për katastrofën 0-3 që pësuam në Elbasan po për Kupën e Botës, si dhe një 1-0 gjithnjë në Elbasan në 2018 për Ligën e Kombeve kur shënoi Taulant Xhaka.
Ndeshja e fundit u luajt në Izrael dhe u humb me shifrat 2-1 gjithnjë për Ligën e Kombeve, ndonëse Myrto Uzuni shënoi një gol shumë të bukur.


