Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Më mbuluan me shami 12-vjeçe, por vajzat e mia do të… ” Rrëfimi i nënës shqiptare që u bë virale në Turqi

schedule12:32 - 3 Qershor, 2026

schedule 12:32 - 3 Qershor, 2026

Nga një vajzë e rritur në një familje tradicionale shqiptare në Shkup, në një sipërmarrëse të suksesshme dhe influencere që numëron mijëra ndjekës në Turqi. Ky është rrugëtimi i Hajrie Mehmetit Kyc, nënës së tre fëmijëve që ka fituar zemrat e publikut me videot e saj plot humor, pozitivitet dhe mesazhe familjare. “E mbaj shaminë me krenari dhe respekt, por shpesh kam pyetur veten nëse do ta zgjidhja vetë po të kisha mundësinë”, rrëfen Hajria, e cila tregon se është mbuluar me shami në moshën 12-vjeçare si pjesë e traditës familjare.

Sot, pas më shumë se 15 vitesh në Turqi, ajo ka ndërtuar një familje të lumtur, një biznes të suksesshëm online dhe një komunitet të madh në rrjetet sociale. Megjithatë, një gjë e thotë me bindje: “Fëmijët e mi nuk do t’i mbuloj kurrë. Dua që ata të jenë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre”

Hajria kujton me nostalgji fëmijërinë në Shkup, ku u rrit me vlerat e respektit, dashurisë për familjen dhe traditës shqiptare. Në vitin 2011 u largua drejt Turqisë me bursë studimi në degën Ekonomi, pa e ditur se atje do të gjente jo vetëm profesionin, por edhe dashurinë e jetës së saj.



“Gjatë studimeve njoha bashkëshortin tim. Na bashkuan vlerat e përbashkëta dhe respekti për familjen. Sot kemi tre fëmijë dhe një jetë të ndërtuar me shumë punë e sakrifica.”
Paralelisht me jetën familjare, Hajria zhvilloi biznesin e saj online, duke qenë ndër pionieret e tregtisë digjitale në një kohë kur shumë pak njerëz besonin tek ajo. Më pas erdhi edhe suksesi në rrjetet sociale.

“Fillova të bëj video humoristike vetëm para një viti dhe reagimi ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit kanë nevojë të qeshin, të argëtohen dhe të shohin histori reale.”
Në videot e saj shpesh shfaqen edhe tre fëmijët, duke krijuar një atmosferë familjare që publiku e ka përqafuar menjëherë.

Pavarësisht paragjykimeve që ka hasur herë pas here për shkak të shamive, ajo thotë se nuk ka lejuar kurrë që gjykimet e të tjerëve t’i ndryshojnë rrugën. “E rëndësishme është kush je si njeri dhe çfarë vlerash përfaqëson. Fëmijëve të mi u mësoj respektin, ndershmërinë dhe dashurinë për familjen. Dua të jenë njerëz të mirë para se të jenë të suksesshëm.” Një histori frymëzuese e një gruaje shqiptare që balancoi traditën, familjen, biznesin dhe suksesin në botën digjitale, duke u kthyer në një fenomen viral në Turqi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!