Debatet për Zvërnecin në Shqipëri kanë sjellë një interesim të madh edhe nga Greqia. Shtypi grek ka qenë mjaft aktiv në lidhje me çështjen, ndërkohë që nga shteti fqinj janë nisur edhe autobusë të mbushur me njerëz për të marrë pjesë në protestën në Tiranë.
Këtë e ka pohuar analisti Arben Meçe në emisionin “Real Story” në ABC News, ku foli për çështjen dhe protestën e mbajtur.
Meçe tregoi edhe një foto nga Kakavija, ku shihen njerëz dhe, sipas tij, janë autobusë të organizuar nga shteti grek për të protestuar në lidhje me çështjen e pronave në Zvërnec.
“Pikërisht në këtë distancim unë vë në diskutim filozofinë e protestës. Unë jam prezantuar me 4-5 versione të protestës. Ishte një version për investimin izraelit, u ngritën probleme pronësore, të cilat për herë të parë i dëgjoj, sepse thuhet se nuk ka çështje pronësore. Të gjithë këta u bënë bashkë, morën sëpatën dhe këtu u shtua edhe një faktor i rëndësishëm, që është shteti grek. Nëse jemi përpara një situate ku protestën e organizojnë njerëz nga Greqia, apo kur klounë të politikës dalin në skenë, unë për çfarë do të flas: për mjedisin apo për diçka tjetër? Çfarë është kjo deklaratë nga shteti grek që futet në punët e brendshme të Shqipërisë? Unë i pyes këta protestues: a jeni kundër që të bëhet ky investim?”, tha ai.
Edhe gazeta më e madhe greke, “Kathimerini”, raportoi në lidhje me ngjarjen, ndërsa konfirmoi faktin se nga Athina janë nisur të premten dy autobusë me njerëz për protestën në Zvërnec.
Ndërkohë, në Tiranë, qytetarët dolën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e dytë të protestës në lidhje me projektin për ndërtimin në Zvërnec. Ata kërkojnë anulimin e projektit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, projekti përfaqëson një investim historik prej 4 miliardë eurosh, i cili do të sjellë një ndikim të madh në zhvillimin turistik të vendit.


