Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rinisi ‘xixat’ me Greqinë/ Pas ministrisë reagim edhe Tsipras, replika e Ramës: Ti, si do kishe vepruar?

schedule14:05 - 1 Qershor, 2026

schedule 14:05 - 1 Qershor, 2026

Rikthehen xixat mes komshinjve. As një javë nga vizita e Dendias në Tiranë, e vlerësuar si piku pozitiv i raporteve mes Tiranës dhe Athinës, mediat greke kanë kthyer ngjarjen në Zvërnec në një lumë akuzash ndaj qeverisë shqiptare, duke pretenduar se aty proteston minoriteti grek, që po dhunohet për shkak se po kërkojnë pronat e tij.

Mediat greke nuk kanë kursyer as çiftin Kushner-Trump, i cili sipas tyre po rrezikon mjedisin dhe të drejtat pronësore.

Dhe kur vjen puna për interesin helen, partitë politike në Athinë nuk kanë diferenca mes tyre. Pas Ministrisë së Jashtme, ashpër ka reaguar edhe ish-kryeministri, Aleksis Tsipras, që po tenton rikthimin e tij në politikë me një parti të re.



I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës, i cili vetëm dy orë pasi ngriti gishtin drejt Greqisë për një kurth të mundshëm në Zvërnec, shprehu habinë se si Cipras, ashtu si mediat greke, e ka kthyer një ngjarje të izoluar në bilaterale mes dy shteteve.

Në një kohë kur Shqipëria dhe Greqia janë gati për të firmosur një dokument të ri partneriteti strategjik, Rama shpreson megjithatë që miqësia aktuale të mos prishet nga një tjetër ngjarje lokale.

“Kjo është arsyeja pse besoj se do të bini dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë shërbehen më mirë nga faktet sesa nga supozimet, dhe nga respekti për sundimin e ligjit dhe institucionet e vendeve fqinje sesa nga spekulimet politike”, ka shkruar kryeministri Rama.

Një urim me thumbim e kishte Rama për Tsiprasin dhe partinë e tij, që e paralelizoi me partinë e Arlind Qorrit.

“Shpresoj sinqerisht që partia juaj e re do të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë nevojë të bien në të njëjtat modele të njohura të debatit publik, duke përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetësit rreth flamurit përmes përfundimeve të nxituara rreth fqinjëve dhe institucioneve të tyre sovrane”, shtoi kreu i qeverisë.

Qeveria e djathtë greke, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, një ditë më parë kërkoi sqarime nga Tirana për tensionet në Zvërnec, me pretendimin se një shtetas grek mbeti i plagosur.

Nuk është rasti i parë dhe as i fundit që Shqipëria dhe Greqia grinden për gjëra të vogla. Fatkeqësia është se grindje të vogla ndodhin gjithmonë në momente të mëdha. Ose kur Shqipëria i afrohet integrimit, ose kur mes dy vendeve fryjnë erëra të ngrohta afrimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!