Franca dhe aleatët e saj ndaluan një anije cisternë ruse të naftës, e cila është e sanksionuar, në Atlantik gjatë fundjavës.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se anija “Tagor” u ndalua të dielën në mëngjes në ujëra ndërkombëtare me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë.
Macron tha se është e papranueshme që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin e detit dhe të financojnë luftën që Rusia ka zhvilluar kundër Ukrainës për më shumë se katër vjet.
Që nga shtatori, Franca ka ndaluar tre anije të tjera që besohet se i përkasin të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë.
Rusia thuhet se ka ndërtuar një flotilje me tankerë të vjetër nafte me pronësi të paqartë për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe grupi i kombeve G7.
Anijet e flotës në hije shpesh ndryshojnë flamujt ose përdorin regjistrime të pavlefshme në një përpjekje për t’i shpëtuar ndalimit.
Ndërkohë në Ukrainë gjashtë persona u plagosën në një sulm me dron rus gjatë natës në Odesa. Dy persona u shtruan në spital ndërsa u goditën ndërtesa banimi dhe infrastrukturë industriale.
Negociatat për fundin e luftës në Ukrainë kanë mbetur pezull, teksa Shtetet e Bashkuara kanë qenë të fokusuara në luftën e tyre ndaj Iranit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë apel për ndihmë, ndërsa stoku I armëve për Kievin pakësohet dhe nga Uashingtoni dërgesat vijnë në rënie.


