Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur këtë të hënë në Vlorë, ku axhendën e vizitës e ka nisur me një takim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Burime bëjnë me dije se Hita ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Prokurorisë, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi temat e diskutimit.
Sipas informacioneve paraprake, vizita e kreut të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Vlorës mendohet të lidhet me ngjarjet e ndodhura ditët e fundit në zonën e Zvërnecit, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve ligjzbatuese.
Pas takimit në Prokurori, Drejtori i Policisë së Shtetit pritet të zhvillojë edhe një mbledhje të zgjeruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku do të diskutohet mbi situatën e rendit dhe sigurisë në qark.
Ndërkohë, rreth orës 13:00 është paralajmëruar një konferencë për shtyp, ku pritet që Skënder Hita të japë më shumë detaje mbi qëllimin e vizitës dhe çështjet e trajtuara gjatë takimeve në Vlorë.


