Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Policja që sfidoi paragjykimet/ E reja tregon sfidat e uniformës blu dhe mesazhin për vajzat që ndjekin ëndrrat

schedule13:46 - 31 Maj, 2026

schedule 13:46 - 31 Maj, 2026

Në një profesion që për vite me radhë është parë si “territor burrash”, Vilma Imeraj nga Tropoja ka zgjedhur të sfidojë paragjykimet. Fillimisht, ajo përfundoi studimet e larta në Psikologji Klinike, një formim që e ka ndihmuar në punën e saj të përditshme me qytetarët. Më pas iu bashkua radhëve të Policisë së Shtetit, ku 32-vjeçarja prej 7 vitesh e mban me krenari këtë uniformë.

Duke synuar rritjen profesionale dhe specializimin në fushën e sigurisë, pak ditë më parë ajo përfundoi edhe studimet e larta në Siguri dhe Hetim. Përfshirja e saj në polici nuk ishte rastësi. Ajo u rrit me figuren e policies ne familje.

“Unë jam rritur me figurën e punonjësit të policisë në shtëpi, kam pasur babain, dhe ka vite që punon në komunitet. Është shumë i rregulltë, i disiplinuar dhe këtë ma ka përcjell edhe mua. Përveç kësaj, fakulteti im i parë që kam mbaruar për Psikologji Klinike, mendoj se ndërthuret shumë mirë me këtë degë. Krijon një background më të formuar….



Fillimisht, babai i saj nuk e mbështeti vendimin për t’u bërë police, dhe kjo sipas Vilmës vinte për shkak të vështirësive dhe paragjykimeve të profesionit në vend.

“Me thënë të drejtën, në fillim babai nuk e kishte me qejf zgjedhjen time, duke ditur vështirësitë dhe sfidat që ka ky profesion, si edhe paragjykimet që mund të ketë shoqëria shqiptare për rolin e vajzës në polici. Ishte pak e vështirë. Në fillim nuk ishte dakord, por më pas më mbështeti.”

Ajo beson se mentaliteti në Shqipëri po ndryshon gradualisht dhe se vajzat po fitojnë çdo ditë më shumë hapësirë në uniformat blu.

“Policia ende shihet si profesion për burra, por pjesëmarrja e shumë vajzave dhe grave në organizatën e policisë e ka ndryshuar këtë mentalitet dhe këtë stereotip.”

Megjithatë, paragjykimet nuk kanë munguar. Ajo kujton një episod në fillimet e saj si police patrulle.

“Mund të ndalem te një episod në fillimet e mia, kur kam mbaruar akademinë në vitin 2017 dhe isha pjesë e patrullës. Gjatë patrullimit, një qytetar ndaloi dhe donte të më pyeste mua për problemin që kishte, por më pas iu drejtua kolegut tim. Në fund më tha: ‘Lëre, po pyes kolegun.’ Kjo ndodhi vetëm sepse isha vajzë.”

Pas uniformës dhe autoritetit që mbart profesioni, fshihet edhe një ngarkesë e madhe emocionale. Vilma tregon sfidat e profesionit.

“Përgjegjësia që ka një oficer policie është goxha e madhe. Vetë termi të sjell një presion psikologjik. Është pak e vështirë ta menaxhosh në fillim. Një tjetër vështirësi janë turnet dhe orët shtesë, pasi për një grua që ka fëmijë dhe familje është më sfiduese.”

Por, cilat janë momentet më të vështira e të cilat është përballur në punë Vilma?

“Rastet më të vështira që më kanë prekur kanë të bëjnë me vetëvrasjet ose dhunën në familje, kur shikon një grua të dhunuar. Janë raste që më kanë prekur shumë. Jam ndjerë keq, por asnjëherë nuk kam thënë që dua ta lë këtë profesion. Madje kam thënë se dua të vazhdoj për të ndihmuar në parandalimin e tyre.”

Në fund, ajo ka një mesazh për vajzat që hezitojnë të ndjekin ëndrrat e tyre për shkak të paragjykimeve.

“E para, vajzat duhet ta besojnë se mund ta bëjnë këtë punë po aq mirë sa burrat, madje edhe më mirë. Duhet të kenë pasion. Po, mund t’i bëjnë të dyja: edhe profesionin, edhe familjen.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!