Ushtria amerikane ndaloi një anije tregtare që po përpiqej të thyente bllokadën ndaj Iranit, duke qëlluar një raketë në dhomën e motorit të saj, ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së.
Anija Lian Star me flamur të Gambias injoroi më shumë se 20 paralajmërime nga forcat amerikane, ndërsa u përpoq të hynte në një port iranian, tha ushtria.
Anija mbeti në Gjirin e Omanit dhe forcat amerikane nuk kanë hipur në të, njoftoi një zyrtar amerikan me njohuri për situatën, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar operacionet ushtarake.
Me veprimin e fundit, ushtria amerikane ka ndaluar gjashtë anije që përpiqeshin të shkelnin bllokadën.
Njërës iu lejua të vazhdonte lundrimin . 116 anije të tjera janë ridrejtuar, tha ushtria.
SHBA-të e nisën bllokadën më 17 prill në përgjigje të mbylljes efektive të ngushticës nga Irani pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme me sulmet amerikane dhe izraelite më 28 shkurt.
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi që nga 7 prilli. Tani rajoni pret informacion nëse mund të arrihet një marrëveshje për ta zgjatur atë me 60 ditë, ndërsa do të zhvillohen bisedime mbi programin bërthamor të kontestuar të Iranit.


