Kalaja “Argjiro”, një nga simbolet më të njohura të Gjirokastrës, është kthyer në një hapësirë arti ku piktori Bashkim Ahmeti ka sjellë ekspozitën e tij më të re me titull “Male, re dhe plisa të bardhë”.
Në këtë rikthim në qytetin e lindjes, artisti shprehet se prezantimi i veprave në këtë hapësirë historike mbart një domethënie të veçantë personale, si një lidhje emocionale me vendin ku nisi rrugëtimin e tij profesional dhe ku u formësua si krijues.
Rruga e tij artistike nis pas përfundimit të studimeve të larta në fushën e skenografisë, profesion që e ka ushtruar fillimisht në Teatrin e Gjirokastrës, por edhe në institucione të tjera artistike në vend, përfshirë kontribute të rëndësishme në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.
I pyetur mbi krijimtarinë e tij ndër vite, artisti ndalet tek një karrierë e gjatë e ndërtuar në ekspozita dhe projekte të ndryshme artistike.
Ekspozita e parë personale e Bashkim Ahmetit daton në vitin 1985 në ish-Pallatin e Kulturës në Gjirokastër, për t’u pasuar më tej nga prezantime në Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë e Arteve, si dhe në disa vende të Europës e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai jeton prej vitesh.
Ekspozita e çelur në kalanë “Argjiro” ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e një numri të madh vizitorësh dhe turistësh, të cilët janë ndalur për të parë nga afër veprat që mbartin një identitet të fortë shqiptar dhe që dëshmojnë vazhdimësinë krijuese të një artisti të konsoliduar, pavarësisht viteve të jetuara larg vendit.


