Masakra e Tivarit vijon të mbetet një nga ngjarjet më të debatuara në historinë ballkanike.
Ajo nisi në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u mbyll me një epilog tragjik për qindra shqiptarë të Kosovës, në prill të vitit 1945, në qytetin e Tivarit, ndonëse numri i viktimave mbetet ende i papërcaktuar saktësisht.
Gjatë kësaj ngjarjeje, mijëra shqiptarë nga Kosova u grumbulluan dhe u dërguan drejt Malit të Zi, me arsyetimin se do të dërgoheshin në front kundër forcave gjermane.
Debati lidhet me disa veprime të forcave partizane shqiptare dhe bashkëpunimin e tyre me partizanët jugosllavë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga Akademia e Shkencave në Tiranë, pasardhësit dhe veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare kërkojnë që kjo çështje të zbardhet.
“Vlerësojmë dhe i propozojmë kësaj konference të OVP-së së LANÇ-it të Popullit Shqiptar që të dalim me një deklaratë për Kuvendin e Shqipërisë dhe të Kosovës, si edhe për qeveritë tona respektive, përmes së cilës të kërkojmë prej tyre të iniciojnë, formalizojnë dhe paraqesin një kallëzim penal në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për Masakrën e Tivarit, me qëllim që t’u jepet hak viktimave të kësaj tragjedie.”
Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi shkoi përtej ngjarjes, duke bërë thirrje për një qasje më të hapur ndaj luftës antifashiste, pasi sipas tij ajo ka qenë baza e Europës së re.
“Lufta antifashiste, duam apo nuk duam ne, ka qenë baza e Europës së sotme. Kjo është një temë për të cilën në vende të tjera, si p.sh. në Itali, po flitet gjithnjë e më tepër.”
Për Masakrën e Tivarit nuk kanë munguar as akuzat nga politika në Tiranë pas viteve ’90, ndërsa pasardhësit e të rënëve në luftën antifashiste e quajtën atë një akt të pastër barbar serbo-malazez, ndërsa debatet i konsideruan si një tentativë për të njollosur Ushtrinë Antifashiste Nacionalçlirimtare./abcnews.al


