TIRANË- Lëvizjen e parë e bëri. Lista me 27 futbollistët e grumbulluar për dy miqësoret kundër Izraelit dhe Luksemburgut më 3 dhe 5 qershor ishte një përpjekje e Rolando Maran për të lënë shenjën e parë të tij në kombëtaren kuqezi.
Megjithëse, i detyruar nga koha e shkurtër dhe mungesat, risitë dhe rikthimet në skuadrën kuqezi një sinjal i teknikut italian. Por “markën” Maran dhe kombëtaren që do të vijë do ta shohim vetëm në sfidat e qershorit, duke nisur nga ajo debutuese e teknikut kundër Izraelit.
Maran paralajmëroi se ndryshimet kërkojnë kohë, por gjithsesi i lejoi vetes të zbulojë disa detaje, si mbrojtja me katër dhe objektivi për të shtyrë sulmuesit për të shënuar sa më shumë.
Këto “mesazhe” tregojnë, të paktën dëshirën e Maran për një skuadër më sulmuese, por gjithçka do ta tregojë fusha.
E sigurt është që ky mision nuk do të jetë i lehtë. Sipas agjendës së publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, grumbullimi do të nisë zyrtarisht më 1 qershor.
Kjo do të thotë se trajneri kuqezi do të ketë vetëm dy ditë kohë të punojë me grupin e plotë të futbollistëve dhe të injektojë idetë dhe strategjitë e tij taktike përpara dy miqësoreve të qershorit në Tiranë./abcnews.al


