TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e Albanian Digital Solution Sh.A., një tjetër iniciativë, e cila sipas tij synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit të qeverisjes përmes teknologjisë. Kryeministri vlerësoi edhe rolin e AKSHI, duke e cilësuar atë si një histori suksesi që ka kaluar nga një numër i kufizuar shërbimesh në mbi 1200 shërbime publike online.
Sipas Ramës, rritja e sistemeve digjitale ka sjellë edhe nevojën për më shumë financim dhe mirëmbajtje, çka ka nxitur krijimin e kompanisë së re shtetërore. Ai theksoi se “Albanian Digital Solution Sh.A.” synon të zhvillojë dhe mirëmbajë sisteme teknologjike pa qenë gjithmonë e nevojshme që shteti t’i drejtohet sektorit privat.
Rama deklaroi se ambicia është që kjo kompani të kthehet në ndërmarrjen publike më të suksesshme në tregun e zhvillimit të sistemeve digjitale, duke ofruar paga konkurruese dhe duke tërhequr talente nga brenda dhe jashtë vendit.
“Një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit përmes teknologjisë, sepse sot bëjmë publike një kompani të re, një shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit te qeverisjes elektronike.
AKSHI është një histori e jashtëzakonshme suksesi, e cila ka kaluar përmes rruge aspak të lehtë, një rrugë që ka nisur me një grusht shërbimesh dhe që pastaj ka kulmuar me mbi 1200 shërbime publike online.
Nevoja për financim ka ardhur duke u rritur pasi sistemet e ndërtuara kërkojnë financim qoftë për tu rindërtuar, qoftë dhe për tu mirëmbajtur. Për të krijuar një kompani të re, e cila do të zhvillojë sistem pa pasur gjithmonë nevojë që shtetit t’i drejtohet privatit, por përkundrazi, me ambicien që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe të mirëmbajtjes së tyre.
Kompaninë më të suksesshme në treg, një kompani, që të këtë kapacitetit të kthehet në një hapësirë për të gjithë talentet, një kompania, e cila të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve digjitale, një kompani, që të ketë kapacitetin që talenteve brenda dhe jashtë vendit të bëhen pjesë e saj”, theksoi Rama./abcnews.al


