Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbledhë sot kabinetin e tij, në një moment të ndjeshëm të negociatave me Iranin, të cilat synojnë përfundimin e konfliktit dhe arritjen e një marrëveshjeje, që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të kufizonte programin bërthamor iranian, raportoi AP.
Sipas administratës, negociatat janë në fazë të avancuar, por ende të paqarta, ndërsa vetë Trump ka shprehur optimizëm se një marrëveshje është “pranë” përfundimit.
Megjithatë, marrëveshja e mundshme po përballet me kritika nga disa aleatë republikanë, të cilët paralajmërojnë se kushtet mund të jenë të favorshme për Iranin dhe se ai mund të riforcohet pas heqjes së sanksioneve.
Bisedimet janë komplikuar edhe nga sulmet ajrore të fundit amerikane ndaj objektivave ushtarake në Iran, të cilat Teherani i ka dënuar si shkelje të mirëbesimit, ndërsa SHBA-ja i ka justifikuar ato si veprime “mbrojtëse”.
Një nga çështjet kryesore të pazgjidhura mbetet mënyra e menaxhimit të rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, si dhe koha e armëpushimit, përfshirë rolin e aleatëve rajonalë të Iranit si, Hezbollahu në Liban.
Trump ka sugjeruar gjithashtu zgjerimin e marrëveshjeve të normalizimit në Lindjen e Mesme (Marrëveshjet Abraham), duke përfshirë edhe vende të tjera të rajonit, megjithëse disa prej tyre mbeten skeptike.


