Primi i sigurimit të detyrueshëm motorik pësoi ulje në tregun shqiptar. Skema e re e sigurimeve Bonus-Malus e cila përllogaritet sipas historikut të dëmeve ka dhënë efektet e para në uljen e primit të sigurimit të makinave..
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të dhënat për periudhën Janar–Prill 2026 tregojnë se primi mesatar i MTPL-së së brendshme ka rënë me 2.2% krahasuar me një vit parë.
Kjo konfirmon faktin se të gjitha ato automjete që nuk kanë regjistruar aksidente gjatë vitit 2025 kanë paguar një prim më të ulët sigurimi se më parë.
Ndërsa ata drejtues që janë përfshirë në aksidente gjatë vitit të kaluar kanë paguar më tepër për sigurimin e automjetit.
Një risi ka pasur në tregun e sigurimeve në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të AMF rezulton se ka pasur rritje të ndjeshme të sigurimit të pronës kryesisht nga zjarri dhe dëme të tjera.
Referuar sigurimeve vullnetare, rritja vjetore e primeve te shkruara bruto në këtë 4 mujor, nga klasa e sigurimit nga zjarri dhe dëme të tjera në pronë ka një kontribut në këtë rritje në masën 60%).
Por pavarësisht kësaj struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-jetë, i cili përbën 90.77% të totalit.
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, si edhe nga dëmtime të tjera në pronë, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.
Gjatë periudhës Janar – Prill 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.
Primet e shkruara bruto arritën në rreth 8.31 miliardë lekë, me një rritje prej 8.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 3.03 miliardë lekë, me një rritje prej 13.35%.
/abcnews.al/


