Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian dhe pas sinjalit jeshil të “IBAR” tashmë vendi po hyn në fazën e mbylljes së tyre.
Ai theksoi se një nga çështjet më të rëndësishme mbetet kapitulli 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtën e pronës, duke e cilësuar këtë të fundit si një nga sfidat më të mëdha të tranzicionit shqiptar.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rolin e teknologjisë në proceset reformuese, duke thënë se zhvillimet e reja teknologjike i kanë dhënë Shqipërisë mundësinë të bëjë hapa të shpejtë drejt së ardhmes.
Duke folur për problematikat e pronësisë, Rama kujtoi vështirësitë e trashëguara nga periudha postkomuniste deri sot.
“Kemi hapur të gjithë kapitjet e negociatave dhe piketat ndërmjetme të përcaktuara dhe tani i futemi fazës së mbylljes së këtyre negociatave. Plotësim i piketave të ndërmjetme nga Shqipëria dhe përcaktimi i piketave përmbyllëse është element thelbësore, sa i takon grupkapitujve të themelorëve, e përfshirë gjithashtu kapitullin 23, që ka të bëjmë me gjyqësorin dhe e drejta e pronës është pjesë e këtij kapitulli. Për vend si i yni, teknologjia e re na ka sjell bekim të vërtetë, sepse na ka lejuar të bëjmë hope. Na ka lejuar ta shohim të ardhmen me një mënyrë krejt tjetër.
Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks sa është realisht një nga vështirësitë më të thella dhe një nga vështirësitë më të thella me të cilat jemi përballur. Kalimin nga një sistem me pronë shtetëror, ku nuk zotërohej prona privat, kaluam në një situatë ku shteti humbi kontrollin mbi territori dhe pati një bum të madh demografik pas regjimit komunist dhe këto lëvizje ndikuan në formësimin e territorit”, theksoi Rama.
Këto deklarata, kryeministri Rama i bëri në konferencën rajonale, e cila bashkoi vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një vizioni të përbashkët: transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian.


