Fushëbeteja e luftës mes të mirës dhe të keqes, mund të shndërrohet shumë lehtë në një fushë bashkëpunimi.
Një bashkëpunim që kthehet në një makinë korrupsioni dhe ha koka edhe nga e mira edhe nga e keqja, duke lejuar kështu që të rritet një e keqe akoma më e madhe.
Ata e nisën marshimin e tyre drejt rrugës së ligjit në krahun e të mirës. Drejtues policie, efektiv të thjeshtë, apo edhe prokurorë, me shumë gjasë në nisje të detyrës, nuk e kishin menduar se sa shumë do t’i ngjanin armikut të tyre.
Ata shkuan edhe më tej, teksa në kulmin e luftimeve, në fushëbetejë, të kamufluar, punuan për të dhe u bënë pjesë e tij, madje shpeshherë edhe duke iu vetëofruar.
E para që ekspozoi anën më të errët të oficerëve të Policisë por edhe prokurorëve që ishin vënë në dispozicion të krimit, ishte dosja “Metamorofoza”, e hetuar nga SPAK që prej janarit 2023. Nëpërmjet dhjetëra biseda të siguruara nga thyerja e rrjeteve të komunikimit të enkriptuara të aplikacionit Sky, nxori lidhjen e ngushtë të krimit me antikrimin.
Por mbrëmja e 20 nëntorit të po atij viti tregoi se metamorfozë kishin pësuar edhe të tjerë efektivë të Policisë së Shtetit dhe dukej se aplikacioni SKY, po e kthente tashmë këtë fenomen në një çështje numrash. Ato që dukeshin si raste sporadike, në fakt po rezultonin një trend në realitetin shqiptar. Komunikimet pa dorashka të eksponentëve të botës së krimit, nisën të nxjerrin zbuluar miqtë e tyre të antikrimit.
Vit pas viti e muaj pas muaji, eksponentë të caktuar nga radhët e Policisë nisën të dalin në sipërfaqe nga bota e nëndheshme e krimit, ku ishin implikuar.
Pas çdo ngjarjeje të rëndë kriminale në Shqipëri, kryesisht ato që kryhen nga krimi i organizuar, mbetet pas jo vetëm hija e autorëve, por edhe dyshimi i pashmangshëm se kush i ndihmoi.
Nga vrasja e Gilmando Dani, tek goditjet ndaj grupeve të strukturuara kriminale, e deri te ndërtimet pa leje që lulëzuan nën sytë e institucioneve, një emërues rikthehet vazhdimisht në dosje, përgjime dhe hetime. Oficerë të Policisë së Shtetit.
Jo gjithmonë si forca që ndalin krimin, por ndonjëherë si hallka që e kanë ndihmuar atë të mbijetojë.
Disa oficerë akuzohen se kanë informuar grupet kriminale për operacionet e tyre të paligjshme. Të tjerë dyshohet se kanë mbyllur sytë përballë trafikut, kultivimit të drogës apo aktiviteteve të tjera. Në rastet më të rënda, efektivë dhe drejtues policie rezultojnë të kenë bashkëpunuar drejtpërdrejt me organizatat kriminale, duke nxjerrë njerëz në pritë, duke manipuluar prova apo duke garantuar mbrojtje.
E në ndonjë rast tjetër i kanë trajnuar e mësuar edhe se si të përdorin armët e zjarrit dhe si të realizojnë qitje.
Zbërthimi i komunikimeve në SKY ekspozoi një realitet tronditës. Nga polici i thjeshtë, tek shefat e Komisariateve, oficerët e krimeve, drejtues të operacionales e deri në nivelet më të larta, siç ishin drejtues Policie, emra që duhej të luftonin krimin, shfaqeshin në biseda me eksponentë të tij.
Herë për para, herë për favore, pushtet apo lidhje të errëta që kishin vite që funksiononin në heshtje.
Qëllimi i një krimineli dihet, por shqetësues është momenti kur uniforma pushon së përfaqësuari ligjin dhe bëhet pjesë e botës që duhet të godasë.
ALARMI NË SARANDË
Prej vitesh, në jug të Shqipërisë janë shtuar konfliktet për prona bregdetare, shfrytëzimin e bizneseve turistike, investimet informale dhe zonat e influencës.
Një pjesë e këtyre përplasjeve nuk mbyllen aty për aty, por kalojnë në kërcënime, dhunë, madje dhe atentate mafioze me armë e eksploziv.
Afërsia me kufirin grek e ka kthyer Sarandën edhe në një nyje të rëndësishme lëvizjeje për trafik droge, kontrabandë dhe grupe kriminale që operojnë mes dy vendeve.
Shumë emra të njohur për Policinë shqiptare kanë pasur lidhje me rrjete kriminale në Greqi. Të tjerë janë përfshirë në trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave apo konfliktet për kontroll territori.
Në një qytet që dikur identifikohej me qetësinë dhe turizmin familjar, sot gjithnjë e më shpesh dëgjohen histori për atentate, të shtëna me armë, shpërthime tritoli dhe konflikte të armatosura.
Dhe shpesh, aty ku qarkullojnë shumë para, lind edhe lufta për kontroll, influencë dhe favore.
Një realitet që sipas hetimeve të fundit, duket se nuk prek vetëm grupet kriminale, por ngre pikëpyetje edhe mbi lidhjet e njerëzve të ligjit me personazhe të botës së krimit.
Ndërsa hetimet për vrasjen në Qafë Gjashtë vazhdojnë, një tjetër zhvillim i rëndë ka tronditur së fundmi Sarandën.
Një operacion i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore çoi në arrestimin e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe efektivëve të tjerë të policisë, ndërsa shefi i Krimeve, Blerim Tafçiu, u shpall në kërkim.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
- Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
- Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
- Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
- Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;
ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale: “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.
Policia e Shtetit
Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.
Prona ku po kryheshin punime pa leje, rezulton të ketë qenë më parë e Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me eksploziv mbrëmjen e 5 tetorit 2025 në Sarandë. Pronë, e cila dyshohet se i është marrë me forcë viktimës nga një grup kriminal, por ende nuk është saktësuar nëse Policia e Sarandës ka qenë në dijeni apo ka ndikuar në tjetërsimin e kësaj prone. Megjithatë, pas operacionit të AMP tashmë gjithçka shihet me dyshim.
Ndërkohe më 13 maj, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për një sipërfaqe të dyshuar të ndërtuar pa leje mbi objektin ekzistues “Hotel Oasis”, në lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës. Sipas organit të akuzës, masa është vendosur mbi një strukturë me përmasa 22.9 metra x 13.4 metra x 3.5 metra, e ngritur mbi tarracën e hotelit 6-katësh, në pronësi të shtetasit Alqi Papa. Nga verifikimet dhe inspektimet në terren rezulton se mbi objektin ekzistues është krijuar një volum i ri ndërtimor funksional. Punimet konsistojnë në ngritjen e strukturës metalike mbajtëse, realizimin e mbulimit dhe soletës me llamarinë të valëzuar dhe shtresë betoni, ndarjen e ambienteve të brendshme, si dhe përfundimin e fasadës dhe vendosjen e vetratave. Sipas Prokurorisë, veprimet ndërtimore janë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12 maj 2025 dhe deri më 31 mars 2026.
Edhe arrestimet e 14 majit nga AMP, duket se janë vazhdim i këtij hetimi.
Hetimet lidhen me dyshime për favorizim apo tolerim të ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, pikërisht në zonat ku qarkullojnë interesat më të mëdha ekonomike të jugut.
Edhe pse kjo çështje nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e Rexhep Ismailit, ajo duket se prek të njëjtin realitet që po shfaqet gjithnjë e më qartë në Sarandë. Ndërthurjen mes kriminalitetit, interesave ekonomike, luftës për territor dhe dyshimeve për lidhje apo ndikim mbi struktura të caktuara të rendit. Sepse në një qytet ku toka në bregdet vlen miliona euro, ku konfliktet për prona, hotele, beach bar-e dhe resorte janë shtuar ndjeshëm, çdo dyshim për komprometim të institucioneve e bën edhe më të fortë dilemën se kush e kontrollon realisht sot Sarandën.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, me fokus sigurinë, zbatimin e ligjit dhe rritjen e forcës reaguese të strukturave vendore të Policisë.
Gjatë takimit, Hita kërkoi që strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë të reflektojnë menjëherë për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.
Skënder Hita
Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia. Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të. Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit. Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet. Policia Kufitare duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese. Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë.
Vetëm pak ditë pas arrestimit të drejtuesve të Komisariatit të Sarandës, të dyshuar për përfitime të paligjshme nga lejimi i ndërtimeve pa leje, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, zhvilluan një takim në Sarandë me drejtues të IKMT-së, pushtetit vendor dhe institucioneve lokale. Ata theksuan se askush nën uniformën e policisë nuk do të tolerohet të bashkëpunojë me paligjshmërinë, ndërsa ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike u cilësuan “vijë e kuqe”. Hita kërkoi bashkëpunim mes policisë, IKMT-së dhe institucioneve vendore për të parandaluar në kohë çdo rast abuzimi.
Ndërkohë, Gjykata caktoi “arrest me burg” për 30 ditë, për Gëzim Bashllarin dhe Robert Çullajn, si dhe “arrest shtëpie” për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron, të dyshuar për lidhje me një ndërtim pa leje në zonën e plazhit të Sarandës. Ministri Lamallari reagoi duke deklaruar se në Policinë e Shtetit nuk do të ketë vend për efektivë që abuzojnë me detyrën apo bashkëpunojnë me elementë kriminalë, duke paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj çdo shkeljeje.
Pak ditë më vonë, AMP arrestoi edhe nënkomisarin Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Sarandë, i dyshuar për korrupsion pasiv. Hetimi nisi pas arrestimit të dy personave për shpërndarje droge, ndërsa përgjimet e kryera në ambientet e shoqërimit zbuluan komunikime që implikonin oficerin në veprime korruptive.
Arrestimet e njëpasnjëshme të drejtuesve dhe efektivëve të Policisë së Sarandës kanë ngritur dyshime se problemi nuk lidhet vetëm me tolerimin e ndërtimeve pa leje në bregdet, por me një skemë më të thellë inkriminimi të strukturave të policisë lokale. Fillimisht hetimet zbuluan dyshime për bashkëpunim të punonjësve të policisë me ndërtues të paligjshëm dhe mosveprim përballë zaptimit të hapësirave publike, ndërsa më pas arrestimi i një oficeri të krimeve për korrupsion në një çështje narkotikësh shtoi dyshimet se segmente të policisë mund të kenë qenë të implikuara edhe në veprimtari të tjera kriminale. Përplasja e këtyre episodeve në një kohë të shkurtër ka krijuar bindjen se në Sarandë mund të mos bëhet fjalë për raste të izoluara abuzimi, por për një rrjet ndikimi dhe bashkëpunimi mes elementëve të kriminalizuar dhe zyrtarëve të policisë, në një nga zonat më të ndjeshme turistike të vendit.
POLICI QITJE ME “BAJRAT”
Por rasti i Sarandës duket se nuk është një episod i izoluar. Ndërsa hetimet për lidhjet mes punonjësve të policisë dhe paligjshmërisë në jug të vendit vijojnë, një tjetër dosje e rëndë ka nxjerrë sërish në pah dyshimet për infiltrimin e elementëve të kriminalizuar brenda uniformave blu. Këtë herë, emri i një efektivi policie del në dosjen e grupit “Bajri”, një nga grupet kriminale më të njohura në vend.
Pas sekuestrimit të telefonit të Izmir Sakicës, hetuesit zbuluan foto dhe video ku shfaqeshin persona duke kryer qitje me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm. Në materialet filmike, mes personave të pranishëm, identifikohet edhe një efektiv policie, i cili në dosjen hetimore përmendet fillimisht si “person i paidentifikuar”. Sipas burimeve, bëhet fjalë për Mikel Kodrën, oficer i patrullës së përgjithshme në Malësinë e Madhe.
Identiteti i tij u zbulua vetëm pasi pamjet u publikuan në media. Pas kësaj, AMP e thirri për verifikime, por ai nuk u paraqit. Kontrollet në banesë rezultuan negative, ndërsa efektivi nuk është kthyer më në punë dhe ka fikur telefonin celular, duke ngritur dyshime se mund të jetë larguar për t’iu shmangur hetimit.
Dyshimet bëhen edhe më të forta për shkak të lidhjeve familjare të policit. Mikel Kodra është nipi i Prekë Kodrës, i njohur si “snajperisti” i grupeve kriminale dhe i shpallur në kërkim prej vitesh si pjesë e dosjes “Metamorfoza”, por edhe për lidhje me grupin e Suel Çelës dhe planet për eliminimin e Ardjan Çapjas. Sipas të dhënave hetimore, videot e gjetura në telefon tregojnë persona që stërviteshin në përdorimin e armëve, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse roli i efektivit ka qenë vetëm në stërvitje apo edhe më i thellë në aktivitetin kriminal.
Fakti që këto pamje kanë qarkulluar prej muajsh në duart e strukturave ligjzbatuese, ndërsa identifikimi i policit ndodhi vetëm pas publikimit në media, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi nivelin e depërtimit të grupeve kriminale dhe lidhjeve të tyre me segmente të policisë së shtetit.
Më 15 maj 2026, SPAK mbylli hetimet për përplasjen me armë në Rranxë të Bushatit, një ngjarje e regjistruar në gusht 2024, duke dërguar në GJKKO dosjen ndaj Izmir Sakicës, Samuel Troshanit dhe Franko Lekës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të pandehurit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishin organizuar një atentat për vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij. Ata dyshohet se udhëtuan të armatosur me mjete të blinduara drejt fshatit Rranxë në Bushat, por sapo hynë në zonë u përballën me zjarrin e armëve nga vetë Prendi, duke sjellë një shkëmbim të fortë zjarri. Nga hetimet rezulton se nuk pati të plagosur, por u dëmtuan automjetet e përdorura nga grupi, njëri prej të cilëve ishte i paregjistruar dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin mjetit. SPAK akuzon Sakicën, Troshanin dhe Lekën për “vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa edhe Aleksandër Prendi është marrë i pandehur për “vrasje të mbetur në tentativë”. Franko Leka dhe Prendi vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa dy të tjerët ndodhen në arrest me burg.
Pasditen e 30 tetorit 2024, Shkodra, por jo vetëm, u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, që shkaktoi 4 viktima. Një makinë tip “Benz” me xhama të zinj, e drejtuar nga Hamza Lici, me pasagjer Arlind Bushatin, që udhëtonte drejt rrugës nacionale Shkodër-Koplik, në lagjen Dobraç, u sharrua nga plumbat. Nga pas, i ndiqte një fuoristradë “Land Rover”, ku mendohet se ndodheshin 3 persona. Sapo u ndodhën paralelisht, nga fuoristrada drejt makinës që drejtohej nga 23-vjecari Lici nisi një breshëri kallashnikovi.
Të shtënat vijuan pa u ndalur përgjatë 300 metrave në ecje e sipër derisa shoferi humbi vetëdijen dhe makina u përplas në gjendje të lirë te muri rrethues i një objekti. Hamza Lici, djali i vogël i familjes Lici ndërroi jetë në vend. Pak orë më vonë, humbi jetën në spital edhe miku i tij, 32-vjeçari Arlind Bushati.
Atentati ishte i pamëshirshëm, me objektiv të qartë, eliminimin fizik të personave që ishin në makinën “Benz”. Drejtuesi i “Land Rover”-it dhe dy qitësit nuk morën parasysh as qytetarët e rastësishëm në vendngjarje. Të gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, që po udhëtonin në atë moment me motor, humbën jetën në atë ngjarje. Automjeti që drejtonte Hamza Lici, humbi kontrollin pas breshërisë së plumbave dhe përplasi motorin e çiftit Basha. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi u plagos rëndë në kokë, duke ndërruar jetë më vonë në spitalin e Shkodrës. Ata ishin viktima të pafajshme që nuk kishin asnjë lodhje me atentatorët dhe objektivin e tyre.
Dosja e ngjarjes që mori emrin “Masakra e Dobraçit”, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.
Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.
Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit.
Kjo ngjarje po hetohet bashkë me dy procedime të tjera që duket se SPAK do i bashkojë në një të vetëm. Fillimisht, në Policinë e Shkodrës, më 22 janar 2025 u vetëdorëzuan dy persona. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët njihen në Shkodër si persona pranë fisit Bajri. Të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiri, ata u paraqitën në Drejtorinë e Policisë, pasi ndaj tyre kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Prokuroria e Shkodrës, për plagosjen e Vladimir Bruçit. Më 3 qershor të vitit 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vend parkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicën, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni, Arlind Kajoshi dhe Alban Bruçi.
Por teksa ndodheshin në qeli për këtë ngjarje, për Izmir Sakicën e Samuel Troshanin, vendoset një tjetër masë sigurie, kësaj here nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa RENEA, me urdhër të SPAK zhvillon një operacion në Shkodër më 18 shkurt 2025. Një prej personave që pritej të shoqërohej ishte edhe Safet Bajri, por atë ditë nuk u gjet. SPAK urdhëroi arrestimin e 4 personave të dyshuar për përplasjen me armë në Bushat të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 23 gusht të vitit 2024.
Një ditë pas aksionit në Shkodër, Prokuroria e Posaçme dha informacion zyrtar, duke konfirmuar se operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica. Por, burime nga grupi hetimor thonë se paralelisht me këtë procedim, për disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë, po kryhen hetime edhe në lidhje me “Masakrën e Dobraçit”. Madje deri në këtë fazë ka emra konkret personash të dyshuar që kanë marrë pjesë në atë ngjarje, por ende nuk janë mbledhur provat e nevojshme.
INKRIMINIMI QË U ZBULUA NGA SKY
Operacioni “Metamorfoza”, i zhvilluar në vitin 2023, ishte i pari që zbuloi lidhjet e oficerëve të Policisë me krimin e organizuar, nisur nga bisedat që ata kishin zhvilluar në platformën SKY.
Në dosjen e SPAK, ai që shfaqet në rolin më aktiv duke u shërbyer me informacion dhe gjithçka tjetër grupi Bajri e biznesmenit Pëllumb Gjoka, është ish-shefi i Krimeve të Shkodrës Ardrit Hasanbegaj. Nga bisedat e zbardhura në dosjen “Metamorfoza”, rezulton se Hasanbegaj nuk ka shpërdoruar thjesht detyrën por ka ndihmuar për realizimin e vrasjeve nga grupi që ai i shërbente.
Nga dosja hetimore e SPAK duket qartë se oficerë të Policisë së Shkodrës, si edhe prokurorë e gjyqtarë ishin vënë në shërbim të bandave duke shërbyer si informatorë për lëvizjen e kundërshtarëve të tyre dhe në rast të arrestoheshin apo kapeshin nga kamerat në atentate, si persona që i lehtësonin përballë ligjit.
SPAK ka vërtetuar se prokurori Xhevahir Lita është shërbëtor i Bajrajve, po ashtu si edhe shefi i Krimeve, Ardrit Hasanbegaj, i cili merr përsipër të përgjojë numrin e telefonit të Ibrahim Licit për të gjetur se ku është ai. Po ashtu, nga dosja rezulton se Hasanbegaj jep informacione për lëvizjet e bashkëshortes shtatëzënë të Dorian Dulit, ndërkohë që Behar Bajri bëhet gati që ta vrasë.
Në momentin e arrestimit, për llogari të dosjes “Metamorfoza”, Hasanbegaj nuk ishte më pjesë e Policisë së Shtetit. Në nëntor të vitit 2022, kohë kur ai ishte shef i Seksionit të Krimeve në Berat, ai ishte përjashtuar nga Policia për shkelje të rënda, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Behar Bajri menjëherë pasi ka dalë nga burgu është angazhuar me qëllim vrasjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, për shkak të interesave të tij personale dhe të interesave të fisit. Me qëllim realizimin e vrasjes, shtetasi Behar Bajri ka bashkëpunuar me shtetasit Astmer Bilali, Denis Bajri, Bardhyl Mavraj dhe persona të tjerë ende pa identifikuar.
Behar Bajri ka bashkëpunuar me biznesmenin Pëllumb Gjoka për grumbullimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici. Ardrit Hasanbegaj, duke pasur dijeni për qëllimet e Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, por edhe akses për shkak të detyrës dhe kontakteve të tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, jep informacione të përftuara nga hetimet që zhvillohen nga Policia dhe nga përgjimet telefonike.
Në një rast Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet se përdorej nga Ibrahim Lici dhe ia ka dhënë Behar Bajrit. Më pas Behari numrin ia ka dhënë Pëllumb Gjokës me qëllim që t’ia japë Hasanbegajt.
Zbulimi i Policëve të inkriminuar nga mesazhet e shkëmbyer në SKY, sapo kishte nisur. Një tjetër dosje, zbuloi lidhje të tjera. Kësaj here jo nga platforma e enkriptuar, por nga hetimet dhe një operacion ku mori pjesë edhe DEA amerikane.
Një informacion se sasi lëndësh narkotike do të vinin në Shqipëri nga Turqia në rrugë detare dhe tokësore e më pas nga Shqipëria do të nisej drejt vendeve të Bashkimit Europian, vuri në lëvizje Policinë Shqiptare në mesin e gushtit 2023. Policia gjyqësore siguroi të dhëna se më 14 gusht do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit kanabis, që do të nisej me mjete lundruese nga Patoku dhe në det të hapur do të shkëmbehej me kokainë, e cila do të transportohej me një tjetër mjet lundrues me ekuipazh shtetas ukrainas.
Më datë 15 gusht, një gomone u pikas në dalje të Lagunës së Patokut. Kjo gomone po udhëtonte me shpejtësi drejt një veliere me flamur të huaj që ishte në det të hapur, thuajse 12 milje nga bregu. Kjo velierë kishte hyrë pa njoftuar në ujërat shqiptare dhe ndodhej në afërsi të Kepit të Rodonit. Policia ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me forcat e policisë italiane të Guaria di Finanza, që operojnë në Shqipëri dhe Itali, me qëllim kapjen e dy mjeteve. Të dy mjetet lundruese janë mbajtur nën vëzhgim dhe ne momentin që mjetet e policisë janë pikasur nga dy ukrainasit që ndodheshin në velierë, Kirilo Pomarenko dhe Konstandit Belon, i kanë vënë flakën velierës. Aty ndodhej edhe lënda narkotike e llojit kanabis. Policia kishte të dhëna se në atë kohë ishte bërë shkëmbimi. Ukrainasit kishin dorëzuar sasinë e kokainës tek personat që ishin nisur me gomone nga Patoku dhe kishin marrë kanabisin. Pasi i kanë vënë flakën velierës ata kanë hipur në një mjet shpëtimi ku më pas edhe janë arrestuar, ndërsa gomonia ku dyshohet se ndodhej sasia e kokainës, që drejtohej nga shqiptarë, është larguar me shpejtësi duke u ndjekur nga Policia. Gomonia është sekuestruar etëm pas disa orësh ndjekje, por në atë moment ishte e boshatisur. Është ndaluar vetëm personi që e drejtonte, Besnik Brokeri.
Të njëjtën ditë, në kohën kur një grup po monitoronte mjetet lundruese, një grup tjetër ka kryer kontroll në restorantin “Royal Blue”, që është në pronësi të Gëzim Çelës në Patok, ku ishte dhe baza nga ku ishte nisur gomonia me kanabis. Sipas informacioneve, pasi të bëhej shkëmbimi i kanabisit me kokainë, gomonia do të kthehej sërish në bazë, tek lojali “Royal Blue”. Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia konstatoi Nerim Çelë, i cili u prezantua si pronari. Në fakt Nerim Çela është djali i xhaxhait të Gëzim Çelës e njëkohësisht është daja i Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinajt. Aty u gjetën dy pistoleta, fishekë e një sasi parash. Kur po kryheshin kontrolle, në oborrin e lokalit Policia shquan një mjet Audi që drejtohej nga Arlind Ismailukaj, një ish-oficer Policie dhe pasagjer ishte Armando Mema. Edhe në këtë mjet u gjet një sasi parash.
Nga këqyrja e celularit të Arlind Ismailukajt rezultoi se më dsatë 15 gusht, rreth orës 3 të mëngjesit, ai kishte komunikuar me një person me pseudonimin “Kapelja”. Sipas të dhënave të grupit hetimor ky person është Arben Dalipaj nga Vlora dhe ishte drejtuesi i gomones që u nis nga Patoku për të marrë kokainën. Dalipaj bashkë me të arrestuarin Besnik Brokeri, lëndën narkotike do ta dorëzonin në lokalin “Royal Blue”. Të gjithë këta persona u arrestuan, pasi dyshohet të kenë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.
Por hetimet vijuan për persona të tjerë të përfshirë, pasi atë ditë, pati dyshime se pak momente para ndërhyrjes së Policisë, Gëzim Çela ishte larguar sërish, si gjithmonë i sinjalizuar në kohë.
Rezultatet e këtij hetimi u njoftuan më 9 tetor 2023 nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili tha se nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, ishte ekzekutuar vetëm një. Në pranga ishte vënë shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.
Pra edhe këtë herë Gëzim Çela ishte arratisur. Nëse është larguar ditën që do të arrestohej, apo ishte larguar që prej datës 15 gusht kur u zhvillua operacioni “Flakë në det”, kjo mbetet për t’u sqaruar. Shefi i Policisë së Kurbinit e pranoi që e kishte ndihmuar. Nuk është çudi që ndihma e tij të ketë qenë edhe në këtë drejtim. Një sinjal për t’i thënë “largohu se të kanë rrethuar”, siç e kishte lajmëruar dikush edhe në vitin 2014.
Nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, vetëm një urdhër u ekzekutua. Veprimet e datës 9 tetor 2023 ishin në vazhdim të operacionit “Flakë në det”, të datës 15 gusht 2023, ku u sekuestruan 23 kg kanabis e nisur nga Patoku, që do të shkëmbehej me kokainë 12 milje nga bregu. Ai që u vu në pranga ishte shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj. Ndërsa 3 të tjerët, përfshirë Gëzim Çelën, që për vite me radhë është konsideruar “baroni i drogës”, u shpallën në kërkim. Shefi i Komisariatit, Metaj, rezulton të ketë pasur rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal, mes tyre edhe Gëzim Çela, duke shfrytëzuar postin e tij. Ai u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, i akuzuar për trafikim lëndësh narkotike. Shefi i Komisariatit pranoi ta ketë ndihmuar Gëzim Çelën duke thënë se kishte njohje të hershme me të.
SKY zbuloi të tjerë oficerë Policie të lidhur me grupet kriminale gjatë vitit 2023. Një nga episodet më të rënda të zbuluara nga komunikimet në SKY lidhet me planin për eliminimin e dy vëllezërve, të cilët jetonin në Angli. Sipas SPAK, atentati ishte organizuar nga Ismail Zeneli, i njohur edhe me emrat Luan Sadria dhe Xhem Krasniqi, si hakmarrje për vrasjen e të vëllait në Britani në vitin 2013. Në këtë plan dyshohet se u përfshi edhe Dedan Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin nr. 6, i cili sipas hetimeve përdori strukturat dhe sistemet e Policisë së Shtetit në funksion të grupit kriminal.
Vëllezërit Albert dhe Edmond Nela ishin vënë në shënjestër për t’u ekzekutuar nga anëtarët e grupit kriminal që u goditën nga SPAK pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY. Sipas hetimeve ka rezultuar se Bujar Gërmizi, që është vënë në pranga si dhe Ismail Zeneli, që është shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjonin për të vrarë 2 vëllezërit që jetojnë në Angli. Nga hetimet ka rezultuar se shefi i krimeve, që në kohën kur ka ndodhu ngjarja ishte me detyrë në Policinë e Elbasanit, ka kryer veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e vëllezërve Nela dhe tenton të vendosë një GPS në makinë. Po kështu ka rezultuar se Gjoni ka nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS për Albert dhe Edmond Nelën për t’ua dhënë më pas anëtarëve të grupit.
Vrasja e vëllezërve ishte porositur si hakmarrje nga Ismail Zeneli, që më përpara ka pasur emrin Luan Sadria apo dhe Xhem Krasniqi. Edmond dhe Albert Nela dyshoheshin se në vitin 2013, në Britani kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi. Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Gërmizi, një ish-efektiv i forcave speciale dhe i Gardës.
Gjykata e Posaçme, ne vendimin për masat e sigurisë, argumenton se, Ismail Zeneli, Bujar Gërmizi dhe Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete për sigurimin e kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e Edmond Albert e Silvi Nela, me qëllim kryerjen e vrasjes së vëllezërve Nela. Veprimet e tyre interpretohen vetëm në drejtim të vrasjes së vëllezërve Edmond e Albert Nela. Nga bisedat përftohen të dhëna vetëm në ekzistenvcën e një konflikti dhe jo arsye të tjera. Dedan Gjoni, punonjës Policie, ka përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka pasur akses për shkak të detyrës që ushtronte, në shërbim të Ismail Zenelit. Rezulton se Dedan Gjoni ka vepruar në shkelje të plotë të detyrave funksionale, duke krijuar kushte që mund të cënojnë jetën e Edmon e Albert Nelës. Ai dyshohet se ka qenë në dijeni të plotë të qëllimeve të Ismail Zenelit, pasi me të nuk ka pasur njohje të mëparshme, por në një periudhë të shkurtër kanë komunikuar shumë shpesh, vetëm me një qëlim. Zbulimin e vendndodhjes së vëllezërve Nela.
Por emri i Dedan Gjonit del edhe në një tjetër dosje të SPAK, që hetoi disa persona, të cilët kishin planifikuar vrasjen e Xhevdet Plakut. Për më shumë se 25 vite, emri i Xhevdet Plakut, i njohur si “Deti” apo “Akili”, ka qarkulluar në dosjet kriminale të Italisë, Shqipërisë dhe Holandës. I akuzuar për vrasje, trafik droge dhe i mbijetuar i disa atentateve, ai ka arritur t’i shpëtojë vazhdimisht drejtësisë, mes ekstradimeve, pushimeve të hetimeve dhe gabimeve proceduriale. Por ajo që e bën edhe më të rëndë historinë e tij është fakti se planet për eliminimin e Plakut zbuluan jo vetëm konfliktet mes grupeve kriminale, por edhe përfshirjen e njerëzve nga strukturat e policisë. Në dosjen e SPAK rezulton se ish-shefi i Krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni, u bë pjesë e skemës për ta nxjerrë në pritë dhe për të ndihmuar grupin që synonte eliminimin e tij. Për këtë çështje u dënuan Rexhep Rapi, i njohur si Kep Arapi, nipi i tij Algert Rapi, vetë Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermëni. Dosja nxori në pah një tjetër dimension të errët të depërtimit të krimit në polici, ku uniforma dyshohet se është përdorur jo për të parandaluar atentatet, por për të ndihmuar në organizimin e tyre.
Një tjetër dosje e SPAK ka nxjerrë në pah përfshirjen e efektivëve të policisë në bashkëpunim me grupet kriminale. Në hetime u përmendën dy drejtues policie, Henerigert Mitri, ish-drejtor i Policisë së Lezhës, dhe Klodian Shahini, ish-shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Lezhë, të dyshuar se në vitin 2020 bashkëpunonin me eksponentë të krimit për organizimin e kultivimit të kanabisit dhe aktivitetit të lojërave të fatit. “Revanshi” zbuloi përmes bisedave në aplikacionin SKY lidhjet mes grupeve kriminale dhe personave me të kaluar në strukturat e sigurisë, përfshirë edhe një ish-oficer të forcave speciale RENEA. Operacioni, i zhvilluar gjatë vitit 2024, çoi në arrestimin e dhjetëra personave dhe goditjen e 7 grupeve kriminale që vepronin në disa qytete të vendit dhe kishin krijuar aleanca të ndërtuara mbi trafikun e drogës, hakmarrjen, atentatet dhe interesat financiare. Sipas SPAK, përgjimet zbuluan një rrjet të strukturuar kriminal, ku urdhrat për vrasje, tradhtitë dhe koordinimi i aktiviteteve kriminale kryheshin edhe nga burgjet e sigurisë së lartë, duke nxjerrë në pah nivelin e depërtimit të krimit në institucione dhe lidhjet e tij me persona që kishin ushtruar funksione në strukturat ligjzbatuese.
Në kohën kur Elbasani ishte nën “kthetrat” e krimit dhe kur shumë vrasje po tronditnin vendin, “fajtorët” kërkoheshin në radhët e Policisë. E ndoshta, siç po dëshmojnë të penduarit dhe bisedat në SKY, jo pa qëllim. Deklaratat e vazhdueshme politike etiketonin si përgjegjëse të “luftës” atje, dy grupe kryesore. Çapjat dhe Çelët.
Por edhe ndikimin që ata kishin përmes “shërbëtorëve” që kishin krijuar në strukturat e rendit.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ndoshta me të drejtë deklaronte publikisht në vitin 2017 se as Çapjat dhe as Çelët nuk mund të simbolizonin qytetin.
Në fakt, edhe pse jo në kontekstin që shprehej mininstri i kohës, këto dy grupe nuk ishin të vetmit që kishin shkaktuar përplasjet në Elbasan. Vit pas viti në skenë dolën edhe grupi Çopja e më tej edhe Alibej, ndonëse këta të fundit nuk e kishin fuqinë e tre të tjerëve.
Pasi bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi dëshminë e tij gjatë disa seancave të procesit “Plumbi i artë”, më 29 maj 2025 ishte radha e një tjetër të penduari. Erion Alibejt.
Rrëfimi i tij në sallën e gjyqit ishin një dëshmi, që shpjegonte jo vetëm si bëhej trafiku i drogës, si bëheshin vrasjet e si kontraktoheshin killerat por edhe se si bliheshin oficerët e Policisë.
Një roman i tërë kriminal, me histori gangsterësh, trafikantësh kokaine, killerash me pagesë, policë e shefa Policie që i shërbenin krimit, duke u vënë në dispozicion edhe sistemin TIMS e duke komunikuar në SKY.
Nga Saranda, te dosjet e SKY, nga ndërtimet pa leje te atentatet e organizuara, një detaj përsëritet vazhdimisht. Përfshirja e njerëzve me uniformë në krah të botës së krimit. Në disa raste, policë të dyshuar për korrupsion. Në raste të tjera, efektivë që akuzohen se kanë nxjerrë informacione sekrete, kanë ndihmuar grupe kriminale apo janë bërë pjesë e planeve për vrasje. Dosjet e SPAK kanë zbuluar një realitet të rëndë, ku segmente të strukturave ligjzbatuese dyshohet se nuk kanë luftuar krimin, por kanë bashkëjetuar me të.
Për vite me radhë, grupet kriminale kanë ndërtuar aleanca, kanë përdorur teknologji të koduara, kanë organizuar atentate dhe kanë shtrirë ndikimin e tyre në disa qytete të vendit. Por ajo që i bën këto dosje edhe më alarmante është dyshimi se, në disa raste, mbështetja ka ardhur nga brenda vetë institucioneve që duhet t’i godisnin.
Sot, shumë prej këtyre çështjeve janë ende nën hetim. Disa persona janë arrestuar, të tjerë janë në kërkim dhe të tjerë janë të dyshuar. Por një gjë duket se është e qartë.
Beteja nuk është më vetëm mes shtetit dhe krimit. Sfida më e madhe mbetet pastrimi i vetë strukturave të rendit nga njerëzit që dyshohet se kanë tradhtuar ligjin dhe besimin e qytetarëve.


