Akuza nuk ishte vetëm një, ndërsa përfundimi i merituar. Një trajner futbolli në Çeki është përjashtuar përjetë nga ky sport, dhe nga çdo sport kuptohet, si dhe ka marrë një dënim me burg.
Ky është Petr Vlahovski, dhe është akuzuar se ka filmuar fshehurazi vajzat futbolliste të ekipit të tij, ndërsa ato ishin në dhomën e zhveshjes apo në dush.
Vendimi I përjashtimit përjetë u mor nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA, e cila kërkon që ky ndëshkim të vlejë kudo. Flitet për filmim të 12 lojtareve, diçka që ka vazhduar për 4 vjet me radhë.
Ngjarja bëhet më e rëndë sepse njëra nga vajzat ishte 17 vjeç në kohën që u filmua fshehurazi, pra ishte minorene. Policia e arrestoi që në 2023, kur materialet filmike dolën onlajn, dhe pas një procesi gjyqësor ai u dënua në Çeki me një vit burg me kusht.
Vlahovski punoi për 15 vjet si trajner i ekipit Slovaçko në ligën e femrave, madje shërbeu edhe si trajner i kombëtares çeke të vajzave deri 19 vjeç. Klubi i Slovaçkos dhe vajzat futbolliste shprehën gjithë tronditjen e tyre për ngjarjen./abcnews.al


