Eric Wendt, gjenerali me tri yje i ushtrisë amerikane i nominuar nga Presidenti Amerikan Donald Trump për rolin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, u përball këtë të mërkurë me pyetjet e Komitetit të Jashtëm të Senatit Amerikan mbi prioritetet e tij sa i përket kësaj detyre. Gjenerali, i cili nisi fjalën e tij me vlerësimin për shqiptarët si njerëz besnikë dhe me guxim si të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nga ajo çfarë kishte parë në misionet e tij në NATO, ia doli të tregojë se ishte i mirëinformuar për atë që ndodh në vendin tonë edhe në raport diplomatik dhe me interesat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Eric Wendt garantoi se do të punojë për të mbështetur SPAK-un në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit transatlantik, ndërsa vlerësoi Strukturën Antikorrupsion si një strukturë të pavarur dhe apolitike. Seanca nisi me Jeanne Shaheen, senatoren demokrate të Nju Hempshirit, e cila ngacmoi Wendt duke thënë se ndihet mirë që në Shqipëri Shtetet e Bashkuara duan të dërgojnë si ambasador dikë që do të qëndrojë sy më sy me kryeministrin Rama për shkak të gjatësisë së tyre.
“Siç thashë, jam një mbështetëse e madhe e partneritetit që Shtetet e Bashkuara kanë pasur me Shqipërinë. E gjej interesante që ju do të qëndroni përballë Kryeministrit Rama, duke qenë vetë një burrë i gjatë, ju do të qëndroni përballë një burri të gjatë.”
“SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar, ka qenë një organizatë shumë e vlefshme. Ka qenë apolitike. Ka qenë e pavarur. Prandaj, nëse konfirmohem, sigurisht që mund të angazhohem për të çuar përpara dhe mbështetur vazhdimin e funksionimit të tyre apolitik dhe të pavarur. Ju përmendët gjithashtu organizatat kriminale ndërkombëtare kundër të cilave ata po punojnë. Ata kanë qenë të paçmueshëm. Shkëmbimi i informacionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në Tiranë, me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në, zyrën e DEA-s që ndodhet aty, ka qenë i pandërprerë. Ka qenë transparent. Dhe më është thënë përsëri, po flas bazuar në atë që kam lexuar, se kjo ka çuar në ndjekje penale kundër elementëve kriminalë në Shtetet e Bashkuara dhe në qytete amerikane. Gjithashtu, së fundmi, në një operacion për bllokimin e disa tonëve kokainë që vinte nga Karaibet.”
Ndonëse ndodhej përballë Komitetit të Jashtëm të Senatit Amerikan për t’u dëgjuar se përse ai duhet të miratohet për të qenë ambasadori amerikan në Shqipëri, Eric Wendt u duk se nuk e harroi detyrën e tij të gjeneralit kur theksoi rëndësinë që do të ketë për NATO-n Porto Romano, duke theksuar se prioritet i detyrës së tij është edhe forcimi ushtarak i Shqipërisë, e cila është zotuar për të rritur shpenzimet e saj ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Përmendja e Porto Romanos nuk do të kishte rëndësi nëse Sali Berisha në Tiranë nuk do ta kishte etiketuar si aferën më të madhe korruptive të qeverisë.
Por ambasadori Wendt theksoi se Porto Romano nuk ishte vetëm objektiv i qeverisë Rama.
Teksa garantoi se do të mbështesë sundimin e ligjit dhe një klimë të favorshme biznesi për investimet amerikane, Eric Wendt u pyet se cila do të jetë qasja e tij ndaj projekteve që dhëndri i Donald Trump po zhvillon në Shqipëri. Gjenerali me tre yje, i cili pritet të jetë ambasadori amerikan në Shqipëri, arriti të japë një përgjigje të qartë kur u pyet nëse do të favorizonte familjen Trump, duke thënë se synimi i tij i vetëm është që në Shqipëri të vijë të bëjë punën e tij, dhe kjo punë përfshin mbështetjen dhe suportin për çdo biznes amerikan.
“Ajo çfarë unë di është se puna ime si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri do të jetë të lehtësoj bizneset amerikane, dhe nëse ata kryejnë biznes në Shqipëri, të gjithë ata janë biznese amerikane pa trajtim preferencial ose nënçmues. Puna ime është që të ndiqet sundimi i ligjit dhe fusha e lojës të jetë e barabartë.”
/ abcnews.al /


