Katër dekada pas filmit aq të dashur për publikun shqiptar, Arben Latifaj, protagonisti i “Shoku ynë Tili”, rikthehet në vëmendje me një rrëfim plot emocione, nostalgji dhe kujtime nga një film që u kthye në pjesë të fëmijërisë së shumë brezave.
I njohur për rolin e Tilit, djalit çapkën dhe plot humor që fitoi zemrat e publikut me batutën ikonike “Karafil je vet…”, Latifaj tregon se edhe sot, pas 40 vitesh, njerëzit vazhdojnë ta identifikojnë me personazhin që e bëri të pavdekshëm në ekran.
“Kur njerëzit më ndalojnë dhe më thonë se janë rritur me atë film, më duket sikur kam lënë një gjurmë të bukur te brezat. Është emocion i madh kur ende më thërrasin Tili,” – shprehet ai.
Aktori kujton me nostalgji atmosferën e xhirimeve të filmit të regjisorit Fehmi Oshafi, duke e përshkruar atë periudhë si një nga eksperiencat më të bukura të jetës së tij.
“Kishim shumë energji pozitive. Qeshnim edhe jashtë kamerave, edhe pse punonim shumë. Gjithçka bëhej me zemër. Kishte skena që duhej t’i xhironim disa herë sepse askush nuk ndalonte së qeshuri,” – rrëfen Latifaj.
Sipas tij, forca e “Shoku ynë Tili” qëndronte pikërisht te thjeshtësia dhe realiteti i historisë.
“Filmi fliste për miqësinë, jetën e përditshme dhe njerëzit e zakonshëm. Publiku e gjente veten aty, në çdo fragment të filmit,” – thotë ai.
Sot, Arben Latifaj jeton prej vitesh në Gjermani, larg jetës artistike, por jo larg dashurisë së publikut shqiptar.
“Kur mendoj që njerëzit ende më kujtojnë si ‘Tili i vogël’, ndërkohë që unë jam bërë gjysh, më duket e pabesueshme. Kjo tregon fuqinë që ka arti,” – shprehet aktori.
Ai rrëfen se emigrimi në vitet ’90 ishte një zgjedhje e vështirë, por e domosdoshme për familjen.
“U largova me shumë vështirësi në Greqi, jo me shumë dëshirë. Jeta të çon në drejtime të ndryshme. Arti në Shqipëri ishte i vështirë dhe familja kishte nevojë për stabilitet,” – tregon ai.
Edhe pse prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, Latifaj nuk e ka humbur dashurinë për filmin dhe kujtimet nga kinemaja shqiptare.
Një lajm që e emocionon veçanërisht aktorin është restaurimi i filmit “Shoku ynë Tili”, një nismë e Arkivit Qendror të Filmit në kuadër të projektit “Adopto një film për restaurim”.
“Jam shumë i lumtur që filmi do të shpëtohet dhe do të vijojë të jetojë edhe për brezat e ardhshëm. Është pjesë e trashëgimisë sonë,” – shprehet ai.
Përveç “Shoku ynë Tili”, Latifaj kujton edhe eksperiencën në filmin “Lundrimi i parë”, ku interpretoi krah emrave të njohur të kinemasë shqiptare si Ndrek Luca, Stavri Shkurti dhe Vangjel Heba.
“Ishim të rinj dhe çdo gjë dukej magjike. Nuk kishim luksin e sotëm, por kishim shpirt dhe shumë pasion,” – thotë ai.
Sot, mes jetës familjare dhe rolit të gjyshit të përkushtuar, Arben Latifaj mbetet për publikun shqiptar po ai djali i klasës së 7A, Tili çapkën që i bëri të qeshin e të reflektojnë për miqësinë, familjen dhe edukimin.


