Askush nuk i afrohet për atë që ka bërë. Ai që tashmë mund të quhet ish-rajneri i kombëtares shqiptare, pra Silvinjo, mund të kritikohet, mund të thuhet se erdhi I papjekur në stolin kuqezi, se dikur nuk lexonte mirë ndeshjen, se nuk pati guxim të ndryshonte formacionin apo të bënte zëvendësimet kur duhej, por fakti është se bilancin e tij nuk e ka asnjë teknik tjetër I mëparshëm.
As edhe “madhëria e tij”, Xhani De Biazi.
Edhe pse pësoi tri humbje radhazi që nga Anglia e deri tek Ukraina, e sidomos provoi shijen e hidhur të disfatës në gjysmëfinalen e plej ofit për të shkuar në Kupën e Botës, sërish ajo që ka arritur braziliani mbetet e veçantë. Në 34 ndeshje në stolin e përfaqësueses, Silvinjo e ka peshoren në krahun pozitiv, diçka që nuk e ka bërë askush nga paraardhësit.
Me 15 fitore, 7 barazime e 12 humbje mbetet i paprekshëm, po ashtu si edhe me golaverazhin mjaft pozitiv, 40-30. De Biazi pati 18 fitore e 19 humbje, dhe golat vetëm +2.
Shqipëria e futbollit, kjo kombëtare e vogël gjatë gjithë jetës së saj, sot mund të mburret se të paktën është në nivelin mesatar europian dhe botëror. Tashmë, janë dy faza finale të Europianit, e para me De Biazin dhe e dyta me Silvinjon, dhe pjesëmarrja për herë të parë në plej ofin e Kupës së Botës.
Kontrata e trajnerit përfundonte në qershor, dhe fakti që nuk e rinovua më gjatë tregoi se diçka luhej pas perdeve. Nuk dihet saktësishts e përse u largua braziliani, për pretendime për rrogën, për ndonjë ofertë më të mirë, apo për shkak të asaj që thanë të dy, se cikli përfundoi. Tashmë, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që mbetet është se Silvinjo la shenjën e tij në kombëtare dhe nuk do të harrohet.


