Teuta nuk ka ndërmend të largohet jashtë vendit për fazë përgatitore. Klubi durrsak ka dalë me njoftim dhe ka qartësuar se do ta zhvillojnë fazën në qytetin bregdetar. “Djemtë e Detit” do të rikthehen në stërvitje që me 3 janar, pasi kampionati nis shpejt.
“Faza përgatitore në Durrës. Drejtuesit e klubit të Teutës kanë vendosur që të zhvillojnë fazën përgatitore në Durrës. Durrsakët do të grumbullohen më datë 3 janar dhe ekipi do të qëndrojë dy javë të plota në grumbullim, ku trajneri Martini do të punojë me lojtarët që ka në dispozicion dhe ata që do të afrohen nga merkato”, shkruhet në njoftimin e klubit durrsak.
MERKATO – Deri më tani janë konfirmuar dy largime nga Teuta. Sulmuesi Darko Nikac dhe Roni Gashi e kanë mbyllur bashkëpunimin me durrsakët. Mesfushori ka firmosur dhe është prezantuar te Ballkani në Kosovë, ndërkohë që edhe sulmuesi është pranë firmës me Gjilanin, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News.
Drejtuesit po punojnë për të bërë përforcime ne skuadër dhe prioritet është gjetja e një sulmuesi goli. Edhe Khalid, i blerë në verë nga Prishtina, nuk ka bindur dhe me shumë mundësi do të largohet. Kështu trajneri Edi Martini pret që drejtuesit të gjejnë një lojtar goli, i cili është shumë i nevojshëm. /abcnews.al