Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

“Gjërat Tona”/ Saranda, sindroma e Çikagos. Konflikte, armë, eksploziv dhe grupet që po ndryshojnë qytetin

schedule20:59 - 17 Maj, 2026

schedule 20:59 - 17 Maj, 2026

Ka qytete ku krimi lind nga varfëria. Por ka dhe qytete ku krimi ushqehet nga paratë. Dhe atëherë bëhet edhe më i rrezikshëm, më i ashpër.

Saranda duket si një parajsë turistike.

Deti, resortet, hotelet luksoze, lokalet që mbushen çdo verë me mijëra turistë dhe miliona euro që qarkullojnë në pak muaj.



Një vend perfekt edhe për të pastruar milionat e krimit të organizuar.

Por pikërisht aty ku qarkullojnë shumë para, të ligjshme e të paligjshme, lind edhe lufta për kontroll.

Prej vitesh, në jug të Shqipërisë janë shtuar konfliktet për prona bregdetare, shfrytëzimin e bizneseve turistike, investimet informale dhe zonat e influencës.

Një pjesë e këtyre përplasjeve nuk mbyllen aty për aty, por kalojnë në kërcënime, dhunë, madje dhe atentate mafioze me armë e eksploziv.

Afërsia me kufirin grek e ka kthyer Sarandën edhe në një nyje të rëndësishme lëvizjeje për trafik droge, kontrabandë dhe grupe kriminale që operojnë mes dy vendeve.

Shumë emra të njohur për Policinë shqiptare kanë pasur lidhje me rrjete kriminale në Greqi. Të tjerë janë përfshirë në trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave apo konfliktet për kontroll territori.

Në një qytet që dikur identifikohej me qetësinë dhe turizmin familjar, sot gjithnjë e më shpesh dëgjohen histori për atentate, të shtëna me armë, shpërthime tritoli dhe konflikte të armatosura.

Edhe mbrëmjen e 7 majit 2026, në Qafë Gjashtë, një tjetër konflikt pati një fund tragjik.

Fillimisht me shkopinj, pastaj me kallashnikov dhe pistoleta.

Një 66-vjeçar mbeti i vrarë. Një tjetër person u plagos. Dhe emra të njohur për policinë u shpallën në kërkim.

Por pas kësaj ngjarjeje, grupi hetimor po përpiqen të kuptojnë jo vetëm se kush qëlloi dhe pse por edhe çfarë po ndodh realisht me Sarandën.

Olsian Çela, prokuror i Përgjithshëm

Koeficienti i kriminalitetet për procedimet penale të regjistruara, për 100 mijë banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë e ka qarku i Beratit, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku i Sarandës.

Ka disa vite që qyteti më jugor i vendit, i njohur për qetësinë dhe gjiret e kristalta buzë Jonit, po nxjerr në sipërfaqe një anë të errët.

E mesa duket, kur një qytet bëhet “i pasur” shumë shpejt, zakonisht nuk tërheq vetëm turistë.

“SHKRIHET” KOMISARIATI I SARANDËS

Dhe shpesh, aty ku qarkullojnë shumë para, lind edhe lufta për kontroll, influencë dhe favore.

Një realitet që sipas hetimeve të fundit, duket se nuk prek vetëm grupet kriminale, por ngre pikëpyetje edhe mbi lidhjet e njerëzve të ligjit me personazhe të botës së krimit.

Ndërsa hetimet për vrasjen në Qafë Gjashtë vazhdojnë, një tjetër zhvillim i rëndë ka tronditur së fundmi Sarandën.

Një operacion i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore çoi në arrestimin e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe efektivëve të tjerë të policisë, ndërsa shefi i Krimeve, Blerim Tafçiu, u shpall në kërkim.

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:

  • Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
  • Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
  • Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
  • Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;

ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale: “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.

Policia e Shtetit

Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.

Prona ku po kryheshin punime pa leje, rezulton të ketë qenë më parë e Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me eksploziv mbrëmjen e 5 tetorit 2025 në Sarandë. Pronë, e cila dyshohet se i është marrë me forcë viktimës nga një grup kriminal, por ende nuk është saktësuar nëse Policia e Sarandës ka qenë në dijeni apo ka ndikuar në tjetërsimin e kësaj prone. Megjithatë, pas operacionit të AMP tashmë gjithçka shihet me dyshim.

Qoftë edhe veprimet apo mosveprimet e tyre në lidhje me vrasjen e Rexhep Ismailit për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, qoftë edhe për faktin se 5 autorët e përfshirë në këë ngjarje nuk janë arrestuar ende.

Ndërkohe më 13 maj, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për një sipërfaqe të dyshuar të ndërtuar pa leje mbi objektin ekzistues “Hotel Oasis”, në lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës. Sipas organit të akuzës, masa është vendosur mbi një strukturë me përmasa 22.9 metra x 13.4 metra x 3.5 metra, e ngritur mbi tarracën e hotelit 6-katësh, në pronësi të shtetasit Alqi Papa. Nga verifikimet dhe inspektimet në terren rezulton se mbi objektin ekzistues është krijuar një volum i ri ndërtimor funksional. Punimet konsistojnë në ngritjen e strukturës metalike mbajtëse, realizimin e mbulimit dhe soletës me llamarinë të valëzuar dhe shtresë betoni, ndarjen e ambienteve të brendshme, si dhe përfundimin e fasadës dhe vendosjen e vetratave. Sipas Prokurorisë, veprimet ndërtimore janë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12 maj 2025 dhe deri më 31 mars 2026.

Edhe arrestimet e 14 majit nga AMP, duket se janë vazhdim i këtij hetimi.

Hetimet lidhen me dyshime për favorizim apo tolerim të ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, pikërisht në zonat ku qarkullojnë interesat më të mëdha ekonomike të jugut.

Edhe pse kjo çështje nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e Rexhep Ismailit, ajo duket se prek të njëjtin realitet që po shfaqet gjithnjë e më qartë në Sarandë. Ndërthurjen mes kriminalitetit, interesave ekonomike, luftës për territor dhe dyshimeve për lidhje apo ndikim mbi struktura të caktuara të rendit. Sepse në një qytet ku toka në bregdet vlen miliona euro, ku konfliktet për prona, hotele, beach bar-e dhe resorte janë shtuar ndjeshëm, çdo dyshim për komprometim të institucioneve e bën edhe më të fortë dilemën se kush e kontrollon realisht sot Sarandën.

VRASJA NË QAFË-GJASHTË

Mbrëmjen e 7 majit 2026, Policia e Sarandës u njoftua për të shtëna me armë zjarri në një lokal, në Qafë – Gjashtë. Një person u dërgua pa shenja jete në spital, e një tjetër ishte arratisur edhe pse ishte plagosur me një plumb në këmbë. Gjithçka ndodhi rreth orës 21:30 në biznesin e vëllezërve Ismaili, një karburant dhe lokal. Në momentin që Policia mbërriti në vendngjarje gjeti vetëm gëzhojat, që në fakt i përkisnin dy armëve të ndryshme. Një Kallashnikovi dhe një pistolete. Ndërsa armët ishin zhdukur. Në dukje, nga këqyrja e vendngjarjes dhe dëshmitë e para, ishte e qartë se kishte pasur një shkëmbim zjarri. Brenda pak orësh u mësua edhe dinamika e ngjarjes.

Një konflikt fizik, i përforcuar nga përdorimi i shkopinjve e sendeve të forta, brenda pak sekondash çoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Policia saktësoi më vonë edhe zyrtarisht se ishte viktima, 66-vjeçari Rexhep Ismaili, ai që kishte qëlluar i pari me kallashnikov. Për pasojë, mbeti i plagosur me një plumb në këmbë 31-vjeçari Kostandin Vogli. Ndërsa kundërpërgjigja ishte e menjëhershme dhe fatale. Sipas Policisë, personi që ka qëlluar me pistoletë dyshohet të jetë 37-vjeçari nga Nivica, Lulzim Tabaku. Nga të shtënat, Rexhep Ismaili është qëlluar me një plumb në kokë, që i ka marrë jetën. Pas kësaj përplasje të gjithë janë shpërndarë. Rexhep Ismaili është transportuar drejt spitalit të Sarandës, por pa shenja jete. Kostandin Vogli, që mbeti i plagosur është futur në makinë dhe është larguar nga vendngjarja. Vëllai i viktimës është kujdesur që të fshehë kallashnikovin. Me mjete të tjera janë larguar të gjithë. Por në vendngjarje kishte mbetur një makinë e palës që kishte shkuar për të sulmuar. Një “Audi”, që në fakt është identifikuar shpejt nga Policia. Ishte makina e Lulëzim Tabakut, autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili po mbahej në vëzhgim nga Policia prej kohësh.

Policia informoi zyrtarisht përmes një njoftimi paraprak se:

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili, gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi Rexhep Ismaili, 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë. Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi Lulëzim Tabaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Rexhep Ismaili dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Pas disa orësh ngjarja u zbardh plotësisht dhe rezultoi se përveç të plagosurit, Kostandin Vogli, në krah të tij, të përfshirë në këtë konflikt kishin qenë edhe 5 persona të tjerë.

Ndërsa rezultoi që viktima, Rexhep Ismaili, në fakt nuk ishte objektiv i ngjarjes. Ai i doli në mbrojtje mikut të tij, Viktor Ruçi, apo i njohur si Tori Ruçi, i cili kishte pasur një konflikt me Kostandin Voglin. Madje, sipas dëshmive të personave të ndryshëm, edhe disa ditë para ngjarjes, 66-vjeçari Ismaili kishte mbrojtur Ruçin në ambientet e lokalit të tij, kur disa persona kishin shkuar që ta merrnin, me idenë se do të sqaronin një konflikt që kishin me të. Duke u thënë se ishte në shtëpinë e tij, Rexhep Ismaili, herën e parë nuk lejoi një ngjarje të mundshme, ndërsa mbrëmjen e 7 majit, mbeti vetë viktimë e përplasjes me armë.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, shpjegoi dinamikën e ngjarjes, gjatë një konference për shtyp, një ditë pas ngjarjes, ku njoftoi edhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.

Elidon Çela, drejtor i Policisë Vlorë

Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026. Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Rexhep Ismaili, 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi Kostandin Vogli. Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes. Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli, i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.

Nga hetimet rezultoi se shtetasit: Lulëzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Elidon Çela, drejtor i Policisë Vlorë

Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima Rexhep Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt. Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi Lulëzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Rexhep Ismaili, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli. Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi Hajredin Ismaili, ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi Lulzim Tabaku. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit: Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”; Idriz Çela, 40 vjeç, Eljo Muço, 19 vjeç, Kostandin Vogli, 31 vjeç, Marjo Agalliu, 22 vjeç dhe Ermal Shkalla, 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Si dhe u proceduar penalisht shtetasi Hajredin Ismaili 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Elidon Çela, drejtor i Policisë Vlorë

Motivet e ngjarjes aktualisht janë duke u hetuar. Dyshohet se konflikti ka qenë me shtetasin Tori Ruçi dhe pronari i lokalit nuk është përfshirë direkt në këtë konflikt, por më pas nga degradimi i ngjarjes dhe përdorimi i armëve të zjarrit ka mbetur i vrarë pronari i lokalit. Gjithsesi hetimet do përcaktojnë motivet e sakta dhe të vërteta të kësaj ngjarjeje.

Nga personat që Policia shpalli në kërkim në lidhje me ngjarjen, aktualisht është i arrestuar vetëm njëri prej tyre. Konkretisht i plagosuri Kostandin Vogli, i cili në fakt u vetëdorëzua dhe masa e arrestit iu komunikua në spital. Gjatë qëndrimit në spitalin e Sarandës, Vogli është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes. Pesë personat e tjerë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor për vrasje, Lulëzim Tabaku, vijojnë të jenë në kërkim dhe Policia nuk e përjashton mundësinë që ata mund të jenë larguar nga territori shqiptar, me gjatë në drejtim të Greqisë.

Elidon Çela, drejtor i Policisë Vlorë

Jemi duke analizuar çdo informacion. Jemi duke ndjekur disa pista të hetimit. Aktualisht personat janë shpallur dhe në kërkim dhe në momentin që do të ketë diçka konkrete në këtë dejtim, do bashkëpunohet edhe me autoritetet homologe të shteteve fqinje.

Kostandin Vogli dyshohet të jetë personi që kishte konflikt me 50-vjeçarin Viktor Ruçi dhe për këtë arsye ka thirrur disa persona, të njohur të tij për të shkuar në lokalin e 66-vjecarit Rexhep Ismaili, ku ndodhej edhe Ruçi. Në momentin e kësaj përballje ka nisur fillimisht konflikti fizik e më tej me shkopinj e sende të forta, derisa janë nxjerrë armët e zjarrit.

Kostandin Vogli rezulton person me precedentë penalë për “drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa në gusht të vitit 2023 ishte shpallur në kërkim për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “kultivim të bimëve narkotike”. Nga ana tjetër, edhe personi me të cilin ai kishte konflikt, Viktor Ruçi, që njëkohësisht është edhe bashkëshorti i tezes së Voglit, rezulton person me precedentë penal në fushën e narkotikëve. Më 19 shkurt të vitit 2026 ai ishte ndaluar nga Policia, si pasojë e një dënimi në mungese me 8 muaj burg për veprën penale “moskallëzim krimi”, dhënë në vitin 2019. Ruçi u lirua nga burgu më 12 mars 2026, pasi dënimi i tij ishte parashkruar. Gjithashtu, ai rezulton i përfshirë në një grup trafiku droge të goditur nga Policia e Sarandës më 1 mars të vitit 2018. Në atë kohë, gjatë një operacioni të koduar “Piramida”, u arrestuan 12 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim për trafikim të kanabisit në drejtim të Greqisë. Grupi që drejtohej nga një i ri nga Konispoli, organizonte transportin e lëndës narkotike nga Tepelena e Gjirokastra, në drejtim të zonave kufitare të Konispolit. Bimët narkotike dyshohet se magazinoheshin në disa ambiente në zonën pranë kufirit, e më pas trafikoheshin drejt shtetit grek. Mes 12 personave të arrestuar edhe Viktor Ruçi, nga Tepelena dhe banues në Sarandë, i cili kishte rolin e financuesit për blerjen e lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit

Këta shtetas në mënyrë periodike, sipas një zinxhiri funksional të dyshuar kriminal, kanë organizuar transportin e lëndës narkotike nga rrethet Tepelenë dhe Gjirokastër në drejtim të zonave kufitare të Bashkisë Konispol, të cilën e magazinonin në disa ambiente në zonën pranë kufirit e më pas organizonin trafikimin e saj drejt shtetit grek tek persona për të cilët po zhvillohen hetime. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në periudha të ndryshme kohore kanë trafikuar lëndë narkotike kanabisi drejtim shtetit grek, në bashkëpunim me të tjerë shtetas të cilët janë kapur e ndaluar në Greqi më datë 30 janar 2018, si dhe në të tjera raste, për të cilat për arsye hetimi nuk bëhen të ditura. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 9 automjete ndër to 5 mjete luksi, lëndë narkotike kanabis sativa dhe 21 aparate celular. Shtetasit e mësipërm akuzohen për veprat penale ”Grup i strukturuar kriminal” dhe ”Trafikimi i lëndëve narkotikëve”.

Më 11 maj 2026 u zhvilluan njëra pas tjetrës, seancat për caktimin e masës së sigurimit ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruçi alias Viktor Ruçi. Konflikti i pronësisë për një beach-bar në bregdetin e Jonit, ishte shkaku i përplasjes në lokalin e vëllezërve Ismaili në Qafë – Gjashtë, që përfundoi me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, i cili veç të tjerash ishte edhe kryetar i Shoqatës “Çamëria”, për degën e Sarandës.

I pari që doli para togave të zeza ishte 50-vjecari Ruçi. Ai ishte ndaluar nga policia më 9 maj, dy ditë pas ngjarje, me akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Gjate seancës, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Më pas, prokurorja e çështjes, Armida Kaçi dhe gjyqtari Mikel Hysometaj u zhvendosën në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku mbahet i shtruar nën masa sigurie, 31-vjeçari Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë. Prokurorja kishte ngritur ndaj tij tri akuza: “Moskallëzim krimi”, “Shkatërrim prone” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosje” e kryer në bashkëpunim. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”, por duke bërë një rikualifikim të veprës penale nga ana e gjyqtarit. Si përfundim Vogli akuzohet edhe për “Vrasje me dashje”, të kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

KONFLIKTI I PRONËSISË

Hetimet paraprake të ngjarjes së 7 majit 2026 në Qafë – Gjashtë tregojnë së Kostandin Vogli kishte konflikte të hershme me burrin e tezës së tij, Viktori Ruçin për çështje pronësie, lidhur me një lokal në zonën bregdetare. Për këtë arsye, ai kishte kërkuar ndihmën e shokëve të tij, pasi në një moment është ndjerë i provokuar nga Viktor Ruçi, që i është shfaqur pranë makinës. Këtë e ka shpjeguar edhe vetë në deklarimet e tij.

Kostandin Vogli

I qëndroj thënieve të dhëna në deklarimin e datës 8 maj 2026 në prani të oficerit të policisë gjyqësore. Kam qenë në plazhin që kam në Krorëz dhe pasi kam kryer disa punime aty, rreth orës 19:30 kam dalë nga plazhi i Krorëzës dhe kam marrë makinën time xhip “Rava 4”, targa nuk më kujtohet dhe jam nisur në drejtim të Sarandës. Kam qëndruar në Qafë Gjashtë. Kam marrë diçka në Fast Food dhe jam nisur përsëri për në drejtim të fshatit, në vendin e quajtur lokali i mishit. Kam qëndruar dhe kam marrë një paketë cigaresh kroasan dhe banane. Kur kthehem te makina, shikoj në brendësi burrin e tezes, Viktor Ruçi. Momentalisht u stepa dhe i kam thënë: “Dil nga makina… Të kam ndonjë borxh?”. Në ato momente më ka dhënë çelësin e makinës, pasi i kishte hequr çelësin nga veni ku ishte dhe më thotë: “Ik pak më lart që të sqarohemi”. Unë dola nga makina dhe i them: “Sqarohemi këtu, s’kemi pse lëvizim”. Dhe në ato momente unë marr vëllain tim Margaritin në telefon dhe i them se më ka hyrë Viktor Ruçi në makinë. Në atë moment është afruar Lili, i cili është pronari i dyqanit të mishit dhe aty u zbut muhabeti. Në atë moment unë i kam thënë Viktorit: “Do të vij te karburanti të të takoj bashkë me vëllain tim”.

E duket se pikërisht ky moment, siç e shpjegon vetë 31-vjeçari që mbeti i plagosur, ka qenë pikënisja e asaj që ndodhi pak më vonë në lokalin e Rexhep Ismailit, ku ky i fundit mbeti i vrarë. Momentin e takimit me Kostandin Voglin e shpjegon në deklarimin e tij edhe Viktor Ruçi.

Viktor Ruçi

Unë dua të qartësoj se shtetasi Kostandin Vogli është nipi bashkëshortes time. Bashkëshortja ime ka punuar te restoranti i Kostandinit në vendin e quajtur Krorëz. Në përfundim të sezonit, pas llogarive, është debatuar për një sasi të hollash, pasi nuk i kishin bërë llogaritë mirë dhe ka qenë një konflikt midis nipit dhe tezes së tij. Dua të shpjegoj se, në dhjetor të viti 2025 jam kthyer nga Greqia, pasi kam jetuar aty. Më datë 7 maj 2026 unë kam qenë ulur te lokali pranë karburantit në Gjashte me shtetasit Rexhep Ismaili, Shahin dhe Gëzim Veliun. Unë në një moment shoh që kaloi makina e Kostandinit, i cili ndalon te dyqani i shtetasit Lili Bani dhe shkoj aty ku qëndroi makina. Shikoj Konstandinin që pasi bleu diçka në supermarket dhe doli. Unë kam qenë në anën e jashtme të makinës nga ana e pasagjerit dhe ai u fut në makinë. Unë hyra në anën e pasagjerit dhe shikoj qe ai u shtang nga prania ime dhe i them që të mos trembet se dua të sqarohem. Ai më thotë që të dilja nga makina se nuk donte të sqarohej. Unë i them qe kisha unë diçka për të sqaruar dhe dola nga ana e shoferit dhe i them: “Hajde të pimë një kafe”. Ai nuk pranoi dhe vjen Lili së bashku me Albanën, bashkëshorten e tij dhe më thotë: “Çfarë ke me djalin?” Unë i them që është nipi i nuses time. Më pas unë e pashë që nuk donte të bisedonte dhe jam larguar duke shkuar te tavolina ku isha.

Një orë pas këtij takimi, që duket se ka acaruar edhe më shumë situatë, ka ndodhur vrasja e Rexhep Ismailit. Siç rezulton nga hetimet, Vogli ka mobilizuar disa të njohurit e tij dhe bashkë kanë shkuar në karburantin në Qafë – Gjashtë, ku ndodhej lokali, në të cilin po qëndronin bashkë në një tavolinë Viktor Ruçi dhe Rexhep Ismaili.

Kostandin Vogli

Kur fillova lëvizjen me makinë, pasi Viktori doli dhe iku për nga karburanti, unë kam marrë vëllain tim dhe i kam thënë të mos nisej se po shkoja unë në Nivicë, te lokali i Poli Gjonit. Takoj Lulëzim Tabakun, shokun tim dhe i them: “A ke folur gjë me Margaritin?” Dhe ai me tha: “Jo nuk kam folur”. Unë shkoj në shtëpi ku diskutova me vëllain tim dhe mora 3 shkopinj dhe makinën tip “Porche”. Jemi nisur për në Gjashtë. Gjatë rrugës që po shkoja për në Gjashtë, kam takuar përsëri Lulëzim Tabakun dhe u nisëm për në Gjashtë për të takuar Viktorin dhe diku te gurorja në Volloder kemi ndaluar pak dhe i them vëllait që të kthehemi pasi nuk e ndjeja. Kur po bisedonim, Luli na tha që para na presin dhe makina të tjera dhe jemi nisur për në Gjashtë. Unë isha para me makinë, Lulëzimi ishte me motor pas meje dhe makinat e tjera na ndoqën, të cilat unë nuk i njihja kush ishin.

Prezencën në lokalin ku ndodhi ngjarja e ka konfirmuar në deklarimet e tij edhe Viktor Ruçi.

Viktor Ruçi

Pas rreth një ore, më merr një shoku im në telefon, i quajtur Armand Kanushi dhe më thotë që hajde me merr të pimë kafe. Unë erdha e mora në Sarandë dhe u kthyem përsëri tek karburanti, ku në tavoline ishte Klodi Kroi, Shahini, Rexhepi dhe ulem. Po pinim kafe. Pas rreth gjysmë ore vijnë dy makina para lokalit, ngjyrë të zeza dhe shikoj që nga makina e pare del Kostandini me vëllain Margaritin dhe u drejtuan drejt tavolinës me shkopinj në dorë. Mu drejtua mua dhe më goditi me shkop. Unë kam marrë karrigen dhe jam mbrojtur. Kam shkuar në drejtim të lokalit në brendësi. Në atë moment kam parë një person të tretë, i cili ishte me pistoletë në dorë dhe ma drejtoi në një largësi 3 metër. Personin nuk e njoha.

Ndërsa momentin e vrasjes, të dy deklaruesit, si Kostandin Vogli, ashtu edhe Viktor Ruçi, kanë shpjeguar se nuk e kanë shumë të qartë. I pari me pretendimin se ishte goditur në këmbë dhe ka nxituar të largohet me makinën e tij, ndërsa Ruçi thotë se është futur në tualet, nga ku ka dëgjuar edhe të shtënat.

Kostandin Vogli

Unë isha makina e parë dhe kam ndaluar te hyrja e lokalit të të ndjerit Rexhep. Aty kam zbritur bashkë me vëllain me shkop në dorë dhe kam sharë e goditur me shkop por nuk e ka zënë shkopi dhe në përleshje e sipër, pasi nuk kuptoja se çfarë po bëhej, dëgjoj një të bërtitur “Nori kallashin” dhe futa kokën te dera e pasme e pasagjerit dhe u futa brenda. Nga ana e lokalit shikoj një person me kallash në dorë dhe kam zbritur nga makina. Kam shkuar në drejtim të rrugës nga ana e karburantit dhe kam ndjerë që u godita në këmbë. Në këtë kohë kam shkuar te makina, kam ndezur makinën dhe jam nisur për në drejtim të fshati Shën Vasil. Rreth 50 metra në rrugë shikoj vëllain tim, të cilin e mora në makinë dhe u larguam në drejtim të fshatit. Në vendin e quajtur Volloder makinën e ka marrë vëllai im pasi unë nuk isha në gjendje dhe kemi shkuar deri në fshatin Nivicë dhe aty unë kam zbritur nga makina e jam futur në një shtëpi të braktisur, ndërsa vëllai iku në drejtim të fshatit Shën Vasil. Unë kam qëndruar në banesën e braktisur deri ditën tjetër, rreth orës 13:00 – 14:00, ku ka ardhur avokati im dhe kemi ardhur dhe jam dorëzuar.  

Viktor Ruçi

Unë u futa në tualet dhe kam marrë në telefon djalin tim, Dorian Ruçi dhe i thënë që merr Policinë se po na qëllojnë. Kur isha brenda në tualet dëgjova krisma dhe në këtë kohë vjen Mandi dhe më thotë: “Dil jashtë se vranë Rexhepin…” Unë dola dhe shikojmë Rexhepin të shtrirë në tokë para lokalit. Ne hipëm në makinë dhe u nisen drejt spitalit. Unë dola në rrugë dhe aty vjen një makinë, të cilën unë e njihja dhe hipa në makinë e i them që të më dërgonte në shtëpi. Ai më solli në shtëpi. U ndërrova dhe u lava. Në këtë moment më merr në telefon nipi i tij, Kentjon Ismaili dhe më pyeti se çfarë ka ndodhur se s’po i përgjigjej njeri. Unë i them që kanë plagosur Rexhepin por ruaj qetësinë dhe kur të shkosh në spital më merr dhe mua të di se si është. Kur ai shkoi në spital më mori në telefon por nuk e kuptova çfarë më tha dhe më pas kam marrë në telefon Mandi Kanushin dhe më thotë që ka vdekur. Më pas unë kam shkuar te shtëpia e Rexhepit ku kishte dhe njerëz të tjerë, ku kam qëndruar deri në mëngjes. Unë gjatë gjithë kësaj kohe kam qëndruar në Gjashtë, deri në momentin që është bërë varrimi i tij dhe më pas kam ardhur në Polici për të deklaruar.

Megjithatë, duket se hetimet kanë zbërthyer të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe rolet që ka pasur në ngjarje secili nga pjesëmarrësit. Dinamikë e ndërtuar nga veprimet në vendin e ngjarjes, dëshmitë e të pranishmëve, por edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë. Nga të gjitha provat, Policia dhe Prokuroria ka dyshime se autor i vrasjes së Rexhep Ismailit, është i shpalluri në kërkim Lulëzim Tabaku.

KRIMET NË SARANDË

Ora ishte 22:50 kur në qytetin e Sarandës u dëgjua një shpërthim i fortë. Ishte data 5 tetor 2025, kur në lagjen nr.3, Policia gjeti një makinë të shkatërruar që pas shpërthimit u përfshi edhe nga flakët. Në makinën tip “Toyota”, u gjet trupi i pajetë i një personi, që më pas u identifikuar si 58-vjeçari Isuf Jaçaj.

Për rreth një orë, para se të ndodhte ngjarja, ai kishte qenë në një lokal aty pranë me disa miq. Më pas është çuar nga tavolina dhe është drejtuar për tek makina që e kishte parkuar shumë afër lokalit dhe do të shkonte në shtëpi. Sapo ka ndezur makinën, lënda plasëse e vendosur poshtë saj, që dyshohet të ketë qenë rreth 500 gramë eksploziv, ka shpërthyer. Shpërthimi sipas Policisë është kryer nga distanca. Janë hasur vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi nuk ka kamera sigurie nëpër biznese që të kenë filmuar qoftë momentin e shpërthimit, apo momentin kur është vendosur eksplozivi në makinë.

Pas një ngjarje të tillë, veprimet e para hetimore lidhen me viktimën. Të shkuarën e tij, familjen dhe rrethin shoqëror, në mënyrë që të ngrihen pistat për zbardhjen e ngjarjes.

Isuf Jaçaj, vitet e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar turistët me skaf drejt destinacioneve të ndryshme në bregdetin e Sarandës.

Në arkivat e Policisë së Sarandës, emri i Isuf Jaçajt figuron i regjistruar në dy ngjarje ku ka mbetur i plagosur. Fillimisht në një shkëmbim zjarri ku u hodhën edhe granata në vitin 1996, në lagjen nr.4, në Sarandë, kur edhe u arrestua pasi në shtëpi iu gjetën një pistoletë dhe një krehër me fishekë. Vite më vonë Jaçaj përfshihet në një tjetër ngjarje, ku fatmirësisht i shpëton plumbave. Më 13 tetor të vitit 2011, Policia arreston një 28-vjeçar nga Fieri, me banim në Sarandë, pasi dyshohej se kishte qëlluar me automatik ndaj dy personave. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Adem Shena”, në lagjen Nr. 3 në Sarandë. Autori i dyshuar, Edjon Muskaj, sot pronar i disa bizneseve në Sarandë, qëlloi tri herë me automatik në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, ku ndodhej Isuf Jaçaj dhe drejtues mjeti ishte Arjan Lushkaj, nga Mallakastra, me banim në Sarandë. Menjëherë pas të shtënave autori i dyshuar u largua me një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri. Policia gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe fishekë.

Megjithatë, asnjëra nga këto ngjarje nuk rezulton të ketë lidhje me atentatin me eksploziv të datës 5 tetor 2025, ku Isuf Jaçaj mbeti i vrarë.

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, janë fokusuar tek një krim i mundshëm me motive hakmarrje, që lidhet më shumë me djalin e tij, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Jaçaj është babai i 31-vjecarit Klaus Jaçaj, i cili dushohet se strehoi një nga autorët e dyshuar për ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.

Madje, ekzekutimit me eksploziv të Isuf Jaçajt, i parapriu një tjetër ngjarje, po me eksploziv në makinë, por fatmirësisht pa të lënduar. Disa ditë pasi kishte ndodhur plagosja në Sarandë, konkretisht më 21 korrik 2025, kur Klaus Jaçaj ishte ende në kërkim, një person i maskuar me maske silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i tij, duke e shkatërruar atë plotësisht. Kjo ngjarje vijon të mbetet ende pa autor.

Atentati me eksploziv ndaj Isuf Jaçajt, bëri që për disa ditë me radhë, qyteti i Sarandës të blindohej nga forcat speciale RENEA dhe FNSH. U kryen disa kontrolle në qytet, por edhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, me qëllim gjetjen e provave që mund të çonin në zbulimin e ngjarjes.

Ngjarja, që për grupin hetimor, dyshohet të jetë bërë shkak për atentatin me eksploziv ku mbeti i vrarë Isuf Jaçaj, ka ndodhur rreth orës 15:00, të datës 17 korrik 2025. Në lagjen nr. 4, të Sarandës, 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn, 33 vjeç dhe Ernest Lamën, 25 vjeç, nga Kamza. Të dy këta persona rezultojnë me precedentë penalë në Sarandë, pasi më 8 janar 2025 kishin kundërshtuar forcat e policisë në rrugën “Skënderbeu” por kishin fituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt iu gjet nga Policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Policia dhe FNSH u vunë në kërkim të dy personave. Autori kryesor dyshohej Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, aktualisht në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me Policinë greke disa vite më parë.

Ramadan Canaj, në prill të vitit 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Ne 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai ka shkëmbyer zjarr me Policinë greke dhe u arrit të arrestohej në fund të shkurtit të vitit 2008. Ai rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi. Në sistemin e policisë greke rezulton i regjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”. U largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. U ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia.

Në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vellai tij. Canaj në dhjetor të vitit 2022 u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025.

Pas plagosjes së datës 17 korrik në Sarandë, Ramadan Zoto u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit 2025. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje ishin vetëdorëzuar më herët.

Policia e Sarandës zbardhi dhe dokumentoi plagosjen me armë të dy personave nga Kamza në qytetin bregdetar. Për ngjarjen, përveç vëllezërve Canaj, ishin shpallur në kërkim edhe Artan Murataj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç. Dyshohet se ngjarja lidhet në një konflikt për zënien e një sipërfaqe toke, përgjatë vijës bregdetare. Dy të plagosurit nga Kamza pretendonin se dy vëllezërit Canaj u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën, por situata kishte dale jashtë kontrollit kur ishin takuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Sarandës, më datë 17 korrik 2025, në orën 14:58, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, shfaqen dhe vihet re se vijnë 2 persona të identifikuar nga specialistët e policisë në komunitet si shtetasi Ramadan Vladimir Zoto (Canaj) dhe Artan Murataj, 43 vjeç, banues në Sarandë, të cilët pasi kalojnë ecin dhe futen në ambientet e brendshme të lokalit, ulen në tavolinë në krahun e djathtë të hyrjes së tij.

Sipas Prokurorisë, nga provat e marra ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Artan Murataj dhe Klaus Jaçaj kanë ndihmuar autorët e dyshuar të kryerjes së veprës penale, për largimin dhe fshehjen e tyre me qëllim shmangien e tyre nga organet e hetimit dhe policisë.

Më datë 19 korrik, dy ditë pas ngjarjes, Artan Murataj është paraqitur në Komisariat. Duke qenë se kishte shkaqe të bazuara për të menduar se kishte rrezik ikjeje, ndaj tij është proceduar me urdhër ndalimi po atë ditë. Nga ana e policisë gjyqësore, në orën 23:30 është ekzekutuar urdhri i ndalimit të prokurorit ndaj Artan Muratajt, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërsa Klaus Jaçaj ka vijuar t’i shmanget përballjes me Policinë edhe për disa ditë, derisa më 24 korrik është arrestuar.

Gjatë kohës që i biri qëndronte në arrati, babai i tij, Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën në atentatin me eksploziv të 5 tetorit 2025, i ka telefonuar të birin duke i kërkuar të dorëzohej në Polici.

Klaus Jaçaj ndihmoi autorin e plagosjes të fshihej në shtëpinë e tij më pas i mundësoi largimin drejtë Korçës, pas këtyre veprimeve katër ditë më pas në 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv.

Por gjatë kësaj kohe, Klaus Jaçaj ishte kërcënuar seriozisht me jetë, ku i kërkohej që të dorëzonte autorin e plagosjes, Ramadan Canajn.

Në fakt, se sa serioz ishte ky kërcënim do të provohej në ditët në vazhdim, edhe pas arrestimit të Ramadan Canajt.

Më 21 korrik 2025, pak ditë pas përplasjes me armë, i vendoset tritol makinës së Klaus Jaçajt. Në atë kohë, Jaçaj ishte person në kërkim në lidhje me plagosjen pranë stadiumit të qytetit. Nga shpërthimi u shkatërrua plotësisht makina e parkuar, por pati dhe dëme të shumta në një banesë dhe në një automjet tjetër. Policia rrethoi zonën dhe ngriti pika kontrolli në hyrje daljet e qytetit, por deri më sot askush nuk është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të dyshimtë me maskë silikoni, por nuk u arrit të identifikohej.

Pas shpërthimit tragjik në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari, hetuesit nisen nga pyetja kryesore: Kush kishte interes të kryente këtë sulm dhe pse?

Në vendngjarje, Policia gjeti mbetje eksplozivi të tipit C-4 ose tritol, çka tregon për një nivel profesionalizmi që e tejkalon një konflikt të zakonshëm personal. Ekspertët e kriminalistikës zbuluan se mekanizmi i shpërthimit ishte i ngjashëm me disa raste të mëparshme në jug dhe në Tiranë.

Grupi hetimor ka dyshime se porositësit e atentatit mund të jenë nga Tirana, pjesë e një rrjeti kriminal që ka lidhje edhe me trafikun e lëndëve plasëse dhe porositjen e ekzekutimeve. Eksplozivi nga ana tjetër ka dyshime se mund të jetë siguruar në Fier, një zonë ku vitin 2023 u dokumentua një rast i trafikut të eksplozivit.

Në këtë pikë, hetimi kthehet pas në kohë.

Në vitin 2023, policia e Fierit arrestoi Albi Meçinin, një 35-vjeçar me precedent penal, i kapur me 21 kilogramë eksploziv. Aksioni u krye më 28 shtator të vitit 2023 në qytetin e Fierit, pas informacioneve në rrugë operative, ku Meçini bashke me dy të tjerë u kapën me 21,6 kg lëndë eksplozive. Albi Meçini është i dyshuar edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të dy personave në Sarandë, Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit.

Personi tjetër që akuzohet bashkë me të, Ervis Cukali akuzohet si njeriu që siguroi 21 kg eksploziv dhe që u kap në Sarandë nga policia, në një ndjekje spektakolare, teksa bashkë me dy shokët e tij tentoi të shpëtonte duke u hedhur në det.

Tani, hetuesit po kontrollojnë nëse eksplozivi i përdorur në shpërthimin e fundit në Sarandë ka të njëjtin përbërje kimike me atë që iu sekuestrua Meçinit. Një detaj që mund të zbulojë rrjetin e vërtetë pas tragjedisë. Mekanizmi i aktivizimit, sipas burimeve të policisë, ngjante me atë të një atentati ndodhur pak vite më parë në Tiranë.

Në pistën më të fortë: porositësit janë në Tiranë, logjistika në Fier, dhe atentati ndodh në Sarandë. Një trekëndësh i krimit që përfshin tregtinë e lëndëve plasëse, porositësit e atentateve dhe ekzekutorët lokalë.

Hetimi vazhdon, por çdo ditë që kalon, për hetuesit bëhet më e qartë se shpërthimi në Sarandë nuk ishte një rast i izoluar…

Ishte pjesë e një zinxhiri më të madh krimi, që bashkon Tiranën, Fierin dhe Jugun në të njëjtën hartë të errët të botës së nëndheshme. Një histori ku fijet e krimit kalojnë nëpër disa qytete, duke lënë pas vetëm heshtje dhe frikë.

Shpërthimi që tronditi Sarandën nuk ishte thjesht një akt dhune. Ishte një mesazh. Një sinjal, që në prapaskenë, ende sot, ekziston një betejë e heshtur mes grupeve që kërkojnë pushtet, ndikim dhe hakmarrje.

Pas çdo prove të djegur, pas çdo heshtjeje zyrtare, qëndron një rrjet i errët interesash, ku kufiri mes ligjit dhe krimit bëhet i paqartë.

Hetimet zyrtare vijojnë, por në qytet ende flitet me zë të ulët. Sepse askush nuk do të jetë dëshmitari i radhës.

Një histori që nis në Sarandë, por që mund të ketë rrënjë shumë më thella.

Vrasja e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, duket e një natyre tjetër dhe ndryshe nga ekzekutimi me eksploziv që vijon të jetë pa autor, tashmë për këtë krim ka persona të arrestuar e në kërkim.

Vrasja në Qafë-Gjashtë konsiderohet e zbardhur tashmë. Autorët mund të arrestohen. Dosja mund të shkojë në gjykatë.

Por problemi kryesor duket se është përtej kësaj ngjarjeje. Pse një qytet si Saranda po prodhon gjithnjë e më shumë konflikte të armatosura?

Në vetëm pak vite, vlera marramendëse e tokës në bregdet, ndërtimet, resortet, lokalet dhe miliona eurot që qarkullojnë gjatë sezonit turistik kanë ndryshuar jo vetëm ekonominë e qytetit por edhe ekuilibrat e forcës brenda tij.

Aty ku ka shumë interesa, lind edhe gara për kontroll. Dhe kur shteti nuk arrin të vendosë kufij të fortë, hapësirat shpesh mbushen nga njerëz që imponojnë rregullat e tyre.

Në këtë realitet, konfliktet personale shpesh përzihen me interesat ekonomike, lidhjet kriminale dhe përplasjet për influencë. Dhe ndonjëherë mjafton vetëm një takim në një lokal që gjithçka të shpërthejë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!