Policia ka rinisur betejën kundër kultivimit të kanabisit. Prej gati një muaji strukturat e policisë në të gjitha komisariatet në vend kanë nisur monitorimin e kultivimit të kanabisit me dron.
Maji është faza kur bima e kanabisit shënon rritjen, për këtë arsye strukturat e policisë janë organizuar për goditjen e fenomenit të kultivimit, i përhapur në të gjithë vendin.
Problematikë mbetet evidentimi dhe goditja e “shtëpive të barit”. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në të gjithë vendin janë gjetur mbi 25 ambiente të mbyllura në të cilat kultivoheshin bime narkotike kanabis.
Ndërkohë në fokus të policisë së shtetit mbetet edhe shitja e lëndëve narkotike nëpërmjet grupeve kriminale. Në 3 muajt e parë të vitit policia ka sekuestruar 720 kilogramë kanabis, 3.5 kg kokainë si dhe 4525 bimë narkotike kanabis.
Mbi 56 operacione janë finalizuar nga Policia e Shtetit sa i përket kësaj veprimtarie ku shpesh grupet kriminale përdorin edhe të miturit për shitje narkotikësh. 17 të mitur nga moshat nën 14 vjeç deri në 17 vjeç kanë rënë në prangat e policisë.
Kryeqyteti është zona kryesore e shitjes së narkotike ndërkohë me numrin më të lartë të të arrestuarve pas Tiranës janë Shkodra dhe Durrësi. Nga 342 persona të ndaluar 67 janë vënë në pranga ndërkohë 275 janë hetuar në gjendje të lirë.
Gjithashtu nuk mungojnë dhe rastet ku lënda narkotike bazë merret jashtë vendit dhe përpunohet në vendin tonë për tu shitur në doza. Në këto raste policia ka goditur disa laboratorë në kryeqytet të cilat prodhonin ekstazi për ta shitur më pas në lokalet e natës.


