PRISHTINË- Vizita e parë e planifikuar për më 12 mars u shty, por, duke qenë se kriza politike nuk pritet të zgjidhet shpejt, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, zbriti sot në Kosovë.
Nga Prishtina, mesazhet e saj ishin të qarta: për të avancuar me procesin integrues dhe për të përfituar nga fondet e BE-së, duhet të zgjidhet sa më shpejt një president në krye të shtetit dhe të sigurohen institucione funksionale. Asgjë nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka stabilitet institucional në vend.
“Është e rëndësishme që, pasi të mblidhni Kuvendin e ri, të zgjidhni presidentin dhe t’i jepni fund krizës politike. Pas kësaj, ne në BE dhe unë personalisht jemi të vullnetshëm të rrisim bashkëpunimin. Njerëzit e Kosovës duan të integrohen në BE; 88% janë optimistë për të ardhmen e Unionit, dhe kjo është mbështetëse. Falënderoj njerëzit e Kosovës, por nuk duhet harruar se shumë reforma kanë ngecur për shkak të zgjedhjeve të shpeshta në vend. Ne i hoqëm masat e BE-së, tani është radha juaj… I kam premtuar z. Kurti se kur të krijoni institucionet e reja, unë do të kthehem.”, tha Marta Kos, komisionere për Zgjerim.
E pyetur për ecurinë e Malit të Zi dhe Shqipërisë në rrugën drejt Brukselit, Kos tha se për Kosovën nuk ka një datë të caktuar, edhe pse integrimi i saj ka rëndësi për sigurinë rajonale dhe atë të Bashkimit Evropian.
“Mund të them se në Ballkan jemi në një fazë tejet interesante të zgjerimit. Kosova po ashtu duhet të anëtarësohet, por, edhe njëherë, politika duhet të rikthejë stabilitetin në institucione. Ky vit mund të jetë një tjetër pikë kthese në marrëdhëniet tona.”, shtoi Kos.
Për fondet nga Plani i Rritjes, Kos theksoi se 62 milionë euro u disbursuan vetëm pas ratifikimit në Kuvend të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, duke nënkuptuar se është e pamundur të merren fonde shtesë pa një Kuvend funksional.
Në konferencën e përbashkët, Kurti pranoi se vendi ka ngecur në reforma, ndërsa nuk ndryshoi qëndrimin përballë Beogradit për dorëzimin e Milan Radoiçiqit, edhe pse Kos nënvizoi se dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE, është kusht për integrimin.
Kos u takua edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Kjo ishte vizita e saj e parë që nga koha kur mori detyrën si komisionere e Zgjerimit në BE./abcnews.al


