I dyti derbi i braktisur në pak orë. Pas skenave të dhunës në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, vjen tronditja nga një tjetër vend i shkëlqyer i Europës Qendrore, Sllovenisë. Derbi kryesor i Ligës së Parë vendase, mes Mariborit dhe Olimpijas së Ljubljanës, u detyrua të braktisej, madje pas vetëm 55 minutave, për shkak të dhunës së tifozëve.
Ultrasit vendas goditën me kapsollë portierin mik, Vidovshek, në 52’, ai u rrëzua për tokë dhe arbitri i dërgoi lojtarët në dhomat e zhveshjes. Ky ishte incidenti i dytë në derbin e javës së 33-të të kampionatit, pas atij të pjesës së parë, dhe një ndërprerjeje të jashtëzakonshme prej 72 minutash.
Ultrasit vendas sqaruan se përse lëshuan sende piroteknike dhe kapsolla, duke akuzuar klubin se prej vitesh ka rënë në mediokritet, dhe se ka 8 vjet që është braktisur identiteti. Pritet tashmë mbledhja urgjente e Komisionit të Disiplinës në Federatë, dhe një ndëshkim shembullor, si dhe dhënie të sfidës 3-0 në tavolinë skuadrës nga kryeqyteti.
Edhe Maribori, edhe Olimpija, kanë qenë në krizë këtë sezon dhe pritet të mbeten pa futbollin europian, pasi ndodhen përkatësisht në vendin e katërt e të pestë të ligës, ndërsa kampionia shkon në Champions, dhe vendi I dytë e I tretë, si dhe fituesja e Kupës, në Ligën e Konferencës./abcnews.al


