101 detyrat e fundit për t’u anëtarësuar në BE. Brukseli ka vizatuar hartën e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar i unionit.
Në një seancë dëgjimore në Parlament, kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, zbuloi se shumica e detyrave i takojnë Kuvendit për t’i miratuar si ligje.
“BE ka bërë publik qëndrimin negociues, parashikohen kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për të mbyllur negociatat. BE i ka rekomanduar Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e 31 kapitujve të negociatave. Shumica janë ndryshime ligjore apo ligje të reja, për të cilat po angazhohet Kuvendi.” tha Dhuka.
Ndërkohë opozita vijon me aludimet për bllokimin e integrimit, Dhuka siguroi se Shqipëria ka plotësuar edhe 24 detyrat e ndërmjetme për raportin IBAR dhe pret vetëm vendimin e 27 vendeve të BE-së.
“Nuk ka as pengim, as bllokim, as vonesë. Kemi pasur 24 kushte, i kemi plotësuar në shkallë të gjerë. KE na ka dhënë dritë jeshile, tani po diskutohet nga vendet anëtare, po diskutohet së pari raporti i progresit dhe po diskutohen kushtet për mbylljen e grupkapitujve 23 dhe 24, siguria dhe drejtësia. Presim me interes të lartë vendimin e tyre. Do të na jepte formalisht avancimin direkt një më një të të gjithë grupkapitujve të negociatave”, u shpreh ajo.
Por qeveria nuk humb kohë me pritjen. Puna ka filluar për të mbyllur sa më shpejt grupkapitujt më të lehtë.
“Po punojmë në 10 fusha, për 27 kushte. Mendojmë që për 3 fusha i kemi plotësuar kushtet: marrëdhëniet me jashtë, kërkimin shkencor, kulturën dhe arsimin. I janë çuar KE-së, po presim. Në stad të avancuar janë edhe 7 fusha”, shtoi Dhuka.
Parlamenti synon të dalë me një projektrezolutë të përbashkët më 14 maj për integrimin europian dhe opozita propozoi draftin e vet. Por sa seriozisht e ka opozita integrimin europian, u pa edhe në seancën dëgjimore me kryenegociatoren e BE-së.
“S’keni votuar asnjë ligj që na përafron me BE-në, ju dashnorët e anëtarësimit në BE. Kaq, ngri një dorë, vendos një tullë, e thjeshtë. Disa nga ju i bëni pyetje ministres dhe ikni kur duhet të japë përgjigje. Ka një rregull britanik: ministrja nuk i përgjigjet pyetjeve kur deputeti s’është në sallë,” u shpreh Balla.
“Pse ju mendoni se duan përgjigje? Këta i duan pyetjet për reels-a, Instagram e Facebook”, – tha ish ministri Hasani.


