TIRANË– Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon seanca e dytë e gjyqit në themel në ngarkim të ish-kreut të shtetit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Në seancë, palët kanë parashtruar qëndrimet e tyre. Konkretisht, SPAK ka lexuar kërkesën për gjykim në episodin CEZ-DIA.
Prokurori i çështjes Sotir Kllapi, ka pohuar se Meta dhe Kastriot Ismaili kanë lidhje të ngushta, ndërsa ka përmendur dhe një sms në vitin 2009, ku Meta i thoshtë pronarit të DIA, Kastriot Ismailit që i duheshin 200 mijë, por pa specifikuar emrin e vlerës monetare.
“Ilir Meta dhe Kastriot Ismaili, lidhje të ngushta. Në vitin 2009 ka një SMS që i pandehuri i dërgon Ismailit: “Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”.”, tha Kllapi.
Ky pretendim u kundërshtua nga avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili theksoi se kjo përmbajtje nuk ndodhet në dosje që disponon ai.
“Kjo nuk është në dosjen që kemi ne”, tha ai.
Në lidhje me episodin e lobimit të ish-LSI në SHBA, Kllapi dha detaje nga dosja.
“LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, u raportua se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e katër muaj, por realisht ishte një muaj, me kosto 15 mijë dollarë që kaloi nga llogaria. Fatura e parë, 10 shkurt 2016, fatura tre, 11 maj 2016, fatura e katërt, 28 qershor 2014. Tre fatura janë paguar nga LSI, 93 mijë dollarë, një nga kompania e Shatkut. Meta ka qenë në dijeni se LSI po financonte marrëveshjen dhe një pjesë është paguar nga Shatku në SHBA. Pagesat ishin periodike. LSI ka marrë shërbime nga GSIS, ku Meta e Panariti kanë shkuar në SHBA. Janë vërtetuar lidhje të vazhdueshme, takim i zotit Meta në Marok dhe SHBA me zotin Shatku. Meta dhe Kryemadhi ndikuan te Haxhinasto, ministër i Infrastrukturës, për të ndryshuar një urdhër.”, theksoi Kllapi.
Arrestimi dhe akuzat
Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje, si edhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsioni dhe fshehën pasuri e nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme./abcnews.al


